TIRANE-Qeveria është tërhequr nga vendimi për kontratën e ilaçeve, ndërkohë që farmacistët kanë anuluar protestën e tyre.

Kjo pasi qeveria ka pranuare kërkesën e tyre, ndërsa riformulimi i kontratës së ilaçeve do të bëhet me diskutime në tryezë. Garancia në fjalë u dha nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Ministrja priti sot në një takim drejtuesen e Urdhrit të Farmacistëve Diana Toma, pas shqetësimeve të ngritura gjatë ditëve të fundit prej Urdhrit të Farmacistëve në lidhje me Listën e re të Barnave të rimbursueshme.

“Bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm dhe çdo shqetësim do të zgjidhet me dialog. Që nesër ju do të vijoni në grupe të përbashkëta punë me Fondin për të adresuar aty ku është e mundur shqetësimet e ngritura prej jush”, tha Manastirliu gjatë takimit me Toma. Përfaqësuesja e Urdhrit të Farmacistëve, në emër të farmacistëve, shprehu vlerësimin për gjuhën e bashkëpunimit që gjeti për zgjidhjen e problematikave të ngritura prej tyre sa i takon kontratave të reja mes farmacive dhe FSDKSH.

Bisedimet qeveri-farmacistë janë parashikuar që të mbahen nesër në orën 11:00.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: