DURRËS- Policia e Durrësit ka identifikuar personin që u filmua pak ditë më parë duke tërhequr zvarrë me karrocë një qen.

Përmes një njoftimi për shtyp, policia e Durrësit bën me dije se ka identifikuar dhe ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 49-vjeçarin Xh.S.

“Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku paraqitet një shtetas duke tërhequr një qen zvarrë me një karrocë, Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Shijak kanë bërë të mundur identifikimin dhe procedimin penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasit: Xh.S., 49 vjeç, banues në Bodinot, Shijak. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për vlerësim”, deklaron zyrtarisht Policia e Durrësit.

Në videon që publikoi JOQ, shfaqen 3 persona të hipur në një karrocë me kalë që tërheqin nga pas zvarrë një qen nëpër asfalt.

Në video mund të dallohet qartë zëri i qytetarit që i kërkon të ndalojë duke i thënë: “Lëre se është gjynah, e ngordhe”, por personi sipër karrocës i kthehet: “Gjynah ë? Më ka ngrënë pulat”.

Një rast i ngjashëm është regjistruar edhe vitin e kaluar po në rrethinat e Durrësit. Një qytetar nga Xhafzotaj tërhiqte zvarrë pas makinës një qen të gjorë. Në atë kohë, video u bë virale në internet dhe komentuesit dënuan rëndë veprimin e burrit. Madje edhe policia e Durrësit nisi procedimin penal ndaj banorit të Xhafzotajt, i cili u identifkua lehtë, falë publikimit të rastit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: