TIRANË

Analisti, shkrimtari dhe ish-ministri Besnik Mustafaj ka folur në Neës24, në rubrikën “Opinion” për situatën në vend pas tërmeteve. Ai tha se ndihet i plagosur në shpirt për atë çfarë ka ndodhur megjithëse nuk ka pasur dëme të ndjeshme në rrethin familjar.

Mustafaj tha se qeveritë në vend kanë pasur një mungesë parashikimi dramatik dhe se nuk ka një plan për katastrofat. Sipas tij dëmi në vend mund të llogaritet në 1 miliard euro.

“Shpresoj që kësaj here do nxirren mësimet e nevojshme në mënyrë që në të ardhmen Shqipëria e shqiptarët të mos gjenden të pazotë, të pambrojtur dhe të çorganizuar”, thotë Mustafaj ndër të tjera.

“Reagimi i parë është dhimbja, tronditja e thellë. 49 viktima është jashtëzakonisht shumë pa llogaritur dëmet materiale. Qindra mijëra shtëpi. Shqiptari është shumë i lidhur me shtëpinë. Unë nuk kam pasur dëme të ndjeshme në rrethin tim familjar por jam ndjerë i plagosur rëndë në shpirt nga këto që kam parë.
Kam një gjykim mbi çfarë duhej bërë. ka një mungesë kapaciteti, mungesë aftësie të madhe pushteti qoftë ai qendror qoftë ai vendor për t’u përballur flas në aspektin organizativ në radhë të parë me një tragjedi të tillë, nga ana tjetër ndjehem shumë krenar dhe i ngrohtë nga solidariteti i madh që ka shprehur shoqëria shqiptare, Kosova në mënyrë të posaçme. Shqipëria ishte në qendër të vëmendjes dhe afeksionit botëror”, u shpreh analisti.

Sipas tij, të gjitha qeveritë kanë treguar mungesë parashikueshmërie dhe mungesë largpamësie. “Sektori i emergjencave civile është një sektor që në kohë të qeta nuk ka punë. Në kohë normale është krejt i lënë në harresë. Shqipëria është një vend ku duhet të ketë një sektor të emergjencave civile shumë të specializuar. Ne kemi pasur fatkeqësi të ndryshme natyrore që janë pjesë e sektorit të emergjencave civile. Më 21 shtator ky sektor u vu në një provë. Pas premtimeve nuk u bë asgjë më pas për të parë që ky sektor nuk iu përgjigjet realisht emergjencave. Është neglizhuar investimi në pajisje për ndërtimin e një ekipi efikas të pajisur me një logjistikë, duhet të ishte një kompani serioze e pajisur me një logjistikë. Ne e pamë se çfarë bëri një qen që e sollën nga Kosova. Pra, sektori i emergjencave civile as nuk është pajisur me logjistikë e as me njerëz të kualifikuar. Nuk mund të shihet si vend ku të rregullojmë ca njerëz në punë por duhet të jenë njerëz të posaçëm. Qeveritë tona punojmë me një sistem mungese parashikimi dramatik. Nuk mund të lejojmë të jemi aq inferiorë në krahasim me Maqedoninë, Malin e Zi apo Kosovën”, deklaroi Mustafaj.

Sa i përket ankthit tek njerëzit, ai tha se është i natyrshëm në këtë situatë por se do kalojë sapo të stabilizohet pak gjendja.
“Ankthet një gjë e natyrshme në këtë kontekst. Përballë fatkeqësive natyrore njeriu është i pafuqishëm dhe aq më tepër një lloj i tillë fatkeqësie natyrore e paparashikueshme. Tërmeti është i paparashikueshëm, nuk është si përmbytjet. Jam i bindur që kjo do kalojë sapo të stabilizohet pak. Ju bëj thirrje të tregojnë një qëndrueshmëri më të madhe, një besim më të madh në vete. Ky është aspekti njerëzor dhe klinik që s’ka shumë mundësi të ndihmohet tjetri, përveçse me inkurajim”, tha Mustafaj.

Nga ana tjetër ai shprehu kritika për mungesën e koordinimit e menaxhimit të ndihmave.
“Por është edhe ana tjetër, ne dëgjuam tek kronika nga Durrësi i cili tregoi se njerëzit nuk dinë ku t’i çojnë ndihmat, nuk dinë ku t’i marrin ndihma. Shumë keq. Në qoftë se do kishte një skenar të parashikuar si do funksionojë administrata, nuk gjendet në befasi asnjëherë. Me sa shoh nuk ka asnjë plan të tillë.
Emergjencat civile i lihen ose ministrisë së Brendshme ose të Mbrojtjes, që ka sistem me grada që sistemi i komandimit të funksionojë mirë dhe eficenca të jetë maksimale. Shpresoj që kësaj here do nxirren mësimet e nevojshme në mënyrë që në të ardhmen Shqipëria e shqiptarët të mos gjenden të pazotë, të pambrojtur dhe të çorganizuar. Anormale që vijnë njerëz me ndihma dhe nuk kanë ku t’i çojnë, anormale që ka një mosbesim të tillë dhe kjo nuk e kanë fajin dhuruesit por administruesit e ndihmave. Dhuruesit duan t’ia çojnë vetë nevojtarit se nuk kanë besim. Kjo qeveri, kjo administratë ka një nam aq të keq sa mendohet se vjedhin edhe ndihmat.
Dyshoj shumë në sinqeritetin e asaj çfarë bëjnë liderët politikë. Ata mundohen ta kapitalizojnë për propagandën e tyre. Mënyra se si artikulon kryeministri, si i poston thirrjet e kryetarit të opozitës është një prapamendim i qartë i tij për ta kapitalizuar këtë situatë si babai i kombit”, tha më tej Mustafaj.

Sa i përket rrëmujës me ndërtime, ai tha se ligjet nuk janë zbatuar.
“Unë nuk jam inxhinier ndërtimi dhe nuk kam aftësi teknike për të gjykuar sa realisht është ky shqetësim por pallatet e plasaritura apo të shembura tregojnë se ka qenë i drejtë. Ligjet nuk janë zbatuar. Është një moment të nxirren konkluzione, të bëhet një reflektim serioz nga pushteti vendor që jep lejet por edhe nga kontrollorët sepse ajo taksa që paguhet është për të kontrolluar në fund një lloj cilësie për t’i dhënë një lloj garancie blerësit”, tha ai.

Për Mustafajn dëmi është kolosal duke iu referuar dhe buxhetit vjetor.
“Mendoj se minimumi është 1 miliard euro dëmi. Ka një frymë të madhe solidariteti që do e lehtësojë. Një pjesë e këtij dëmi do lehtësohet por nuk ka shumë ‘dhjam’ Shqipëria që të mund të përballojë qoftë edhe gjysmën e kësaj që thashë unë, po të llogarisim që diku tek 4 mld euro është buxheti vjetor i shtetit, atëherë imagjinohet se sa dëm, sa i ndjeshëm do të jetë dëmi në Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe në ekonominë kombëtare në përgjithësi. Me një administrim shumë të mirë jo për shumë vjet”, deklaroi ai.

Në lidhje me mbulimin mediatik, Mustafaj deklaroi se ka pasur përpjekje të mediave e gazetarëve për të shkuar në vendin e ngjarjes dhe për të raportuar, ndërsa për deklaratat e kryeministrit Edi Rama ai tha se ishte një rast për të theksuar një lloj urrejtje që ka ndaj mediave.

“Kam parë një reagim të kryeministrit, një kërcënim dhe një lloj reagimi mbrojtës nga ana e mediave. Unë konstatoj një përpjekje serioze të mediave, gazetarë e redaksi për të shkuar në vendin e ngjarjes dhe për të raportuar, për mua kjo është kryesorja. Problemi i rrjeteve sociale besoj se ishte një rast për kryeministrin për të theksuar një lloj urrejtje që ka ndaj mediave por ky nuk është një problem shqiptar, reagimi i rrjeteve sociale është një problem i qytetërimit botëror”, deklaroi Mustafaj.

Sa i përket procesit të ringritjes, Mustafaj tha se pret masa të shpejta nga qeveria dhe parlamenti.
“Pres një stabilizim psikologjik sa më shpejt të shoqërisë shqiptare. Gjithë shoqëria shqiptare nga Jugu në Veri është thellësisht e tronditur. Shpresoj që kjo tronditje të kalojë sa më shpejt që njerëzit të fitojnë eficencën normale. Pres që në mënyrë të shpejtë që qeveria e parlamenti të bëjnë një reflektim për mësimet që kanë nxjerrë dhe përcaktimin e disa masave që do jenë permanente. Dhe e treta pres ngritjen e një strukture solide për menaxhimin e këtyre ndihmave që do vijnë, përcaktimin e prioriteteve, transparencën në përdorimin e tyre me qëllim që të bëhen sa më shpejt efikase dhe dhuruesi të ndjehet i qetë dhe i gëzuar se ajo çka dha ai i shërbeu qëllimit të përbashkët.

Unë shpresoj që e quaj të domosdoshme që qeveria duhet të kthehet në aktivitet normal që t’ia lërë menaxhimin strukturave të specializuara”, deklaroi ai.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb