TIRANË

Ish-deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari përmes një deklarate për mediat foli për gjendjen e krijuar në Korçë, ku shumë banesa janë prishur nga vala e tërmeteve. Ai hodhi akuza të forta ndaj qeverisë, ndërsa tha se ajo nuk ka marrë masat e nevojshme për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur.

Ai tha se qeveria në vend që të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme, ka zgjedhur të bëjë show mediatik, duke lënë banorët pa asnjë mbështetje dhe në harresë të plotë.

“Sot më shumë se kurrë banorët e zonës së Korçës që janë prekur nga fatkeqësia natyrore kanë nevojë për strukturat shtetërore, por i kanë lënë në mëshirë të fatit. Të shpallet gjendja e jashtëzakonshme dhe jo të bëhet shoë.”-tha mes tjerash Braimllari.

Deklarata e plotë:

Protesta e djeshme konfirmoi dhe njëherë përkrahjen e jashtëzakonshme qytetare kundër hajdutërisë , papërgjegjshmërisë dhe arrogancës së këtij kryeministri dhe kësaj qeverie . Qytetarët nuk mund të lejojnë Edi Ramën që të kthejë vendin në një sistem monist për të mbuluar hajdutërinë e qindra milion eurove të koncesioneve të tij korruptive.

Qytetarët nuk mund të pranojnë aferën korruptive të rrugës Milot- Balldren dhe të tjera koncesione që shkojnë deri në 600 milion euro për t’u ndarë mes nipërve dhe dajave të tyre. Ndërkohë mijëra kryefamiljarë, të rinj dhe të reja janë rrugëve të Europës, në një kohë që këta ndajnë 600 milion euro korruptive.

Kjo hajdutëri e çmendur i ka lënë banorët e Korçës, konkretisht të Floqit, Qafë Zezës dhe Vidohovës në mëshirë të fatit. Të shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Dhe të mos çojë atje prefektë karikaturë, kryetarë bashkish që nuk ia kanë idenë e funksionimit dhe shërbimit qytetar, por vetëm shkojnë atje për të bërë një foto dhe për të bërë politikë më fatkeqësinë e atyre banorëve.

Të mos bëjnë politikë me fatkeqësinë e tyre, po t’u shërbejnë dhe të gjenden pranë jo me çadra që fusin ujë dhe që nuk kanë mundësi ngrohje, por ti ndihmojnë banorët, fëmijët, të moshuarit dhe njerëzit me probleme. Të shpallet urgjentisht gjendja e jashtëzakonshme dhe jo fasada dhe show politik.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb