VORE

Që prej datës 26 nëntor ora 4 e mëngjesit kur ra tërmeti katastrofik, një pjesë e banorëve të Vorës janë jashtë, pa një strehë mbi kokë. Shtëpitë e tyre në pallatet e para 90-tës janë dëmtuar keqazi, por askush nuk di si të veprojë të bashkëjetojë me muret e krisura e që u kanë dalë tullat vendit apo ti qëndrojnë sa më larg pallateve që nga jashtë tregojnë të çarat e frikshme.

15 pallatet e shenjuara me bojë të kuqe nga punonjësit e bashkisë një ditë pas tërmetit janë ndërtuar para viteve 90. Pallatet janë kryesisht me mure masiv mbajtës por ka edhe me konstruksion mbajtës me kollona. Mesatarisht pallatet janë 5 katësh dhe me një llogari të përafërt në to jetojnë përafërsisht 500 familje.

Të lodhur e të indinjuar nga heshtja e institucioneve vendore dhe qeverisë banorët e Vorës janë hedhur në protestë. Kërkesa e parë dhe e vetme që kanë është ardhja e një grupi ekspertësh nga Tirana që të vlerësojë nëse apartamentet e tyre janë të qëndrueshme ose jo.

Të vetmit ekspertë që janë parë në zonë nga banorët ka qenë ekipi i inxhinierëve rumunë, por se edhe ata të pa pajisur me aparatura.

Shumica thonë se i kanë braktisur çadrat, ku shteti i vendosi menjëherë pas tërmetit, pasi sipas tyre në to nuk mund të jetohet më shumë se një javë ndërsa bonusi i qerasë nuk është lëvruar ende.

Ndërkohë, netët e ftohta po i kalojnë me të sajuar, sa te miqtë, te të afërmit, në shtëpi me qira tejet të kripura e të tjerët në makina.

Të tjerë banorë pohojnë se kanë takuar kreun e institutit të ndërtimit që sipas tyre vetëm sa i ka parë me sy disa hyrje pallati që më pas i ka cilësuar të banueshme.
Dëmtimi i pallateve në Vorë u vu re që me tërmetin e parë atë 21 shtatorit, por shteti heshti dhe askush nuk vuri dorë për riparimin e dëmeve që u shumëfishuan me tërmetin e dytë.

Ata që mundëm të takonim në korridoret e pallateve gati të boshatisura janë të moshuar që thonë se në çadra nuk jetohet dhe se nuk kanë kujt t’i trokasin në derë për ndihmë. Sytë i kanë nga shteti dhe pse vetë pohojnë se shteti i ka braktisur.

Për banorët e Vorës protesta është vetëm fillimi, duke paralajmëruar bllokim të rrugës nacionale.


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb