Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, tha në emisionin “Real Story”, në News24, se nuk do të ketë shpërngulje të banorëve të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2029 në Kombinat.

Ahmetaj tha se do të ndërtohen dy qendra të reja, njëra në Kombinat dhe tjetra te “5 Maji”, ku qytetarët do të përfitojnë apartamente me një letër me vlerë, që do të jetë e firmosur nga kryeministri Edi Rama. Sipas ministrit Ahmetaj, puna për ndërtimin e këtyre dy qendrave do të nisë në muajin tetor dhe ato do të jenë gati brenda majit të 2021.

“Nuk do të ketë shpërngulje në Kombinat, do të ndërtohen dy qendra. Këto fillojnë më 10 tetor, hidhen themelet e pallateve te ‘5 Maji’, dhe pas 15 tetorit fillojnë themelet në Kombinat. Nga nesër fillon prishja te ‘5 Maji’ dhe më pas në Kombinat. Në datën që thashë do hedhim kazmën e parë të rindërtimeve, që do të kenë mbaruar maksimumi deri në maj të vitit tjetër. Qytetarët që do të marrin apartamente atje do të kenë një letër me vlerë me firmë nga kryeministri, ku do të kenë të përcaktuar edhe hyrjen. Këto letra do të kenë vlerë monetare, do iu jepen qytetarëve për hyrjet, dhe do jetë garanci dhe për legalizimet më vonë”, tha Ahmetaj.

 

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb