Tërmeti tragjik që goditi Turqinë një ditë më parë, ka kthyer të gjithë vëmendjen e shteteve fqinje dhe jo vetëm ndaj saj për t’i ardhur në ndihmë në grupe për kërkim-shpëtim apo dhe nevojave të tjera të këtyre çasteve dramatike.

Në rubrikën “Opinion” në News24, Haki Çako, kreu i Agjencisë Kombëtare i Mbrojtjes Civile, deklaroi se shteti jonë është në komunikim me strukturat dhe autoritetet turke për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre.

“Ne jemi në pritje dhe kemi kapacitete të shtuara, grupe dhe njësi, që janë të gatshme për të shkuar dhe për t’i ardhur në ndihmë Turqisë. Asnjë shtet nuk mund të çojmë kapacitete të shtuara pa vlerësuar kërkesat e bëra nga autoritetet atje, dhe momentalisht ne jemi në kontakt intensiv për çdo nevojë që do paraqesin dhe nëse do jetë e nevojshme do jemi në gatishmëri të menjëhershme”, u shpreh ai.

Ndërkohë, në studio ka qenë i ftuar edhe mjeku turk Taner Akdamar, i cili tha se familjarët e tij jetojnë në një nga zonat e prekura nga tërmeti. Ai tha se tani familja e tij e ngushtë është mirë, ndërsa vëllai dhe familja e tij janë nxjerrë nga rrënojat pas katër orësh. Ndërkohë tha se mbi 60 familjarë të tjerë të tij janë të zhdukur dhe po kërkohet nën rrënoja për t’i gjetur.

“Zona ime është ajo ku ka rënë tërmeti, dhe prindërit e mi, vëllezërit, të gjithë aty jetojnë. Pas 5 orësh kam marrë informacione. Një vëlla i imi me gjithë familjen kanë qenë nën rrënoja dhe janë nxjerrë pas katër orësh. Tani janë mirë të gjithë, por ka ende të afërm që nuk kemi asnjë kontakt me ta. Në këto momente nuk kemi akoma informacione të sakta, por deri tani afërsisht mbi 60 të afërm nuk kemi informacion”, u shpreh mjeku turk.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb