Eksperti i ekonomisë në Partinë Demokratike, Dorjan Teliti, foli këtë mbrëmje në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, mbi ekonominë shqiptare në këtë periudhë të vështirë të pandemisë.

Përballë ministres së Financave, Anila Denaj, Teliti renditi të gjitha faktet, që sipas tij, e kanë çuar ekonominë shqiptare në recension dhe biznesin drejt falimentit.

Sipas tij, janë rreth 100 mijë persona që kanë humbur vendet e punës, gjatë kësaj periudhe krize të tërmetit dhe pandemisë, ndërsa qeveria ka ofruar mbështetjen më të ulët në rajon për bizneset.

“Analiza që bëri ministrja jep një situatë rozë, që tërmeti dhe pandemia nuk erdhën për faj të qeverisë, por detyra e çdo qeverie është si reagon. Pasqyra që pamë nuk është realiteti, pasi realiteti nuk është aq rozë. Kanë humbur të paktën 50 mijë persona vendin e punës. Gjysma e të punësuarve punojnë në të zezë. Ke rreth 100 mijë persona, që kanë humbur realisht vendin e punës. Bizneset po falimentojnë dita-ditës. Tani sapo mora një mesazh, që më kërkon të mos ja citoj emrin, se ka frikë nesër i shkon kontrolli, është një biznes fason, që më thotë se ka 27 mijë heqje nga puna, 180 milionë euro humbje. Kemi mbyllje të aktiviteteve të paktën 2 biznese fason në javë. Nëse vazhdojmë kështu, më thotë, do të humbasim edhe vende të tjera pune. Ky është realiteti. Të flasim për biznesin e vogël. I keni parë rrugët e Tiranës? Letra për mbyllje biznesi, likuidim, etj.

Në momente krize, buxheti dhe arka e shtetit janë instrumenti kryesor për të mbështetur rritjen ekonomike. Edhe ne po të ishim në qeveri, ekonomia do të kalonte në recension, kjo është e padiskutueshme. Për t’u diskutuar është sa hapa mbrapa do të bëjë ekonomia.

Borxhi i marrë në emër të publikut është mbi 80%, që qytetarët do ta paguajnë kokërr më kokërr. Ajo që duhet bërë nga një qeveri e përgjegjshme është nga njëra anë me buxhetin ekzistues, merr e rishiko çdo lloj shpenzimi. Sipas MF, mbështetja direkte për ekonominë shqiptare është 102 milionë euro. Çdo qytetar që nga fillimi i pandemisë ka marrë 140 lekë të vjetra. Pra, një familje shqiptare me katër persona ka marrë mesatarisht 56 lekë të vjetra në ditë nga qeveria, me të cilat nuk blen as një bukë.

Vazhdojnë të bëhen shpenzime luksi, që nuk duhen bërë as në kohë normale. Vazhdojnë kontrata koncesionare, që ndonëse qeveria deklaroi se do të bënte rishikim të tyre, e kanë çuar gati në vlerën që ishte më përpara. Kemi sot kontrata koncesionare të vitit 2020 afërsisht në masën 95 milionë euro.

Fakt tjetër është se u ndërmorën paketa, edhe ne kishim propozimet tona, që ishin më agresive. Ne kërkuam mbështetje agresive, por sot kemi paketën më të ulët në rajon në mbështetje të ekonomisë, dy herë më të ulët se paketa e Kosovës”, tha Teliti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb