Shqipëria mëngjesin e 26 nëntorit u gjunjëzua nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, që la pas 51 viktima dhe qindra të plagosur dhe pa banesa, ndërsa shqiptarët u solidarizuan për të kthyer dhimbjen në forcë. Të tillë lëvizje bëri edhe opozita sipas analistit Agron Gjekmarkaj. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Gjekmarkaj tha se në këto ditë të vështira për shqiptarët, edhe opozita u solidarizua me qeverinë, sjellje që sipas tij nuk kishte ndodhur në asnjë tragjedi nga e cila ishte goditur vendi ynë. Po ashtu ai theksoi se tashmë opozita duhet të bëhet agresive dhe të ushtrojë presion ndaj qeverisë, pasi vjen faza e dytë; mbajtja e përgjegjësive.


Gjekmarkaj analizoi edhe sjelljen e kryeministrit Rama në daljet e tij në takim me banorët e prekur nga tërmeti, siç ishte vizita sot në Laç, që prodhoi shumë debate. Analisti tha se Rama sot bëri ‘spektakël të padenjë’ me batuta, dhe propaganda.


Ç’mund të na thoni për situatën pas tërmetit të 26 nëntorit?
Dua ta kap që nga fillimi situatën, që nga 26 nëntori kur ndodhi kjo fatkeqësi natyrore. Ta marrim nga anët e mira. Solidariteti i shqiptarëve u demonstrua i fuqishëm. Pati një reagim dhe nga klasa politike, ç’ka nuk ishim mësuar. Pati solidaritet dhe nga opozita, ndoshta hera e parë që e shohim një sjellje të tillë në Shqipëri. Kjo është faza e parë. Më pas është faza e dytë; ajo e fakteve. Nuk duhet të dominojë propaganda, pasi njerëzit kanë nevojë për shpresë dhe jo lojëra fjalësh. Ata kanë humbur shtëpitë, të afërmit. Dhimbjet nuk shërohen me fjalë. Ndaj një gjë që është themelore në këtë rast është reagimi i shpejt, ndihma, dhe nga ana tjetër ata duhet të kërkojnë përgjegjësinë dhe të verifikojnë se kush janë përgjegjësit, përpos natyrës. Pra duhet të shihet se ku është faji i njeriut.


Kur thoni se ka një reagim pozitiv nga klasa politike, kujt i referoheni?
I referohem faktit se opozita harroi për një moment debatet dhe këtë luftë të paprecedentë që qarkullonte këto muaj. Sjellja ka qenë e tillë, që s’jemi mësuar ta shohim. Kemi pasur më parë tragjedi, por opozitat kanë pasur sjellje agresive. Tani ka ardhur momenti që opozita të kërkojë të bëjë opozitën dhe të kërkojë disa të vërteta që janë themelore. Pra ku janë përgjegjësitë e atyre që kanë administruar qytetet shqiptare. Sa përgjegjësi kanë institucionet, nëse marrim kohën midis dy tërmeteve, atë të 21 shtatorit dhe atë të 26 nëntorit. Pasi thuhet se në Thumanë u shpallën të pabanueshëm pallatet ku vdiqën 24 njërës. Ndaj i takon opozitës që të kërkojë përgjegjësit. Është koha që qeveria të marrë përgjegjësitë, dhe opozita ta kërkojë atë. Qytetet tona janë bërë të shëmtuara, pa standarde. Një pjesë e mirë e këtyre politikanëve jetojnë jashtë këtyre qyteteve, i kanë përdorur ato për kalkulime në votime.

Si e shihni thirrjen për opozitën për tavolinat e përbashkëta me maxhorancën…
Problem është një gjë tjetër. Ne biem gjithmonë në kurthin e propagandës së kryeministrit. Nëse lideri i PD shkon në takime pranë banorëve të prekur nga tërmeti dhe konstaton diçka, Rama e merr dhe e publikon në rrjetet e veta. Në këtë mënyrë është sikur ‘ta vrasësh’ punën e opozitës. Ajo duhet të ushtrojë presion mbi organet e drejtësisë. Për të hetuar se çfarë ka ndodhur, për ndërtimet, u duhet të nxirren përgjegjësitë. Duhet të merret në konsideratë babëzia me të cilën është ndërtuar. Rama ka një përgjegjësi tjetër, që të sillet me seriozitet përballë kësaj fatkeqësie që ka ndodhur. Mos ta kthejë në një festival batutash, qokash. Sot në Laç kryeministri dha një spektakël të padenjë, përballë disa qytetarëve që ishin të papunë. Ai po përpiqej që të hipnotizonte, dhe thoshte; “ju nuk e dini se shqiptarët nuk janë të varfër”. Apo; ‘Hajde ti i ziu, hajde ti i bardhi’. Ai mendon se do të dalë ballë përmes batutave dhe qyfyreve. Gropa e hapur është e madhe, jo vetëm për viktimat por dhe ajo ekonomike. Kur është folur për shtëpitë ekologjike, nuk dihet se çfarë janë ato.

Po ashtu flitet dhe për 4 lagje të reja që do ndërtohen…Si e shihni këtë ide?
Çdo propozim duhet të merret në konsideratë nga njerëzit e interesuar dhe aktorët e tjerë të opinionit publik. Më habit shpejtësia që bëhen këto propozime. Mendoj se kërkohen në këtë rast mendimi i specialistëve, në raport me sizmologjinë, apo të urbanistikës. Njerëzit kanë jetën e tyre dhe duhet të merren dhe ata në konsideratë. Nëse nuk pyeten qytetarët dhe u imponohet kjo zgjidhje, druaj se jemi në ide propagandistike. Duhet parë njëherë se ku është raporti i propagandës me gjërat në realitet. Do jetë pjesa me e shëmtuar nëse tentohet me propagandë. Efekti i tërmetit do të thellohej më shumë.

Duket se është e pamundur që gjërat të kthehen si më parë…
Njeriu gjen fuqi për të luftuar me fatkeqësinë, por kjo nuk do të thotë se ato dot ë harrohen. Mbeten në kujtesë. Uroj që kujtesa të shërbeje për diçka. E shoh me trishtim peizazhin shqiptar, nga Saranda deri në Shkodër, se si është abuzuar me territorin. Aq sa jemi në mëshirën e Zotit dhe jo të ligjësive që i ndërtojmë vet.

Zoti Dvorani u mor sot në pyetje në Prokurori pas kallëzimit të bërë nga ana e presidentit të Republikës. Si e shihni ju këtë përballje nga zoti Dvorani?
Unë shoh që maxhoranca politike po përpiqet ditë pas dite që t’i heq presidentit të Republikës segmente nga pushteti i tij që ia jep Kushtetua dhe turret në këtë turra vrap që të arrijë në pikën; Shqipëria nuk ka nevojë për presidenti. Drejtësia ka çeduar herë pas here, por shpresojmë që janë ato ngecje të procesit. Ajo që më shqetëson është se në këto moment që flasin RAI 3 po trajton çështjen e ligjit të mediave, dhe po e cilëson si ligji i ‘gojëve të mbyllura’ në Shqipëri. Ai është ligj që na prek. Të shohësh dhe mendosh që sot kemi një ligj të tillë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: