Kryeministri në detyrë i Kosovës Ramush Haradinaj me anë të një statusi në “Facebook” shkruan se Kosova ka hapur dyert e zemrat për popullin shqiptar të Shqipërisë.

Haradinaj shkruan se Kosova është në gatishmëri të plotë për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti.

Postimi i Ramush Haradinajt:

Kosova ka hapur dyert dhe zemrat, për t’i strehuar dhe ndihmuar gjithë bashkëkombësit tanë, pas tërmetit me pasoja tragjike që preku Shqipërinë.

Tani pas kësaj faze emergjente të përkrahjes dhe akomodimit, ne po hyjmë në një fazë tjetër, të rikthimit të të gjithë banorëve të Shqipërisë në vendlindjen e tyre.

Përkitazi me këtë proces, ne kemi vënë në dispozicion transport për rikthimin e të zhvendosurve, por sot kërkojmë që në këtë etapë të rikthimit vullnetarë të përfshihen edhe të gjitha Komunat, ku ka të strehuar, duke vënë në dispozicion mekanizmat e tyre, numër kontakti, Drejtorit e emergjencave dhe transportin.

Secili qytetarë, meriton një kthim të dinjitetshëm dhe Institucionet tona e kanë për obligim, ta garantojnë dhe të respektojnë këtë të drejtë.

Zyra e Kryeministrit, do të jetë në gjendje gatishmërie për çdo kërkesë eventuale të ndihmës, qoftë për Komunat tona, qoftë për autoritetet shqiptare.

Po nesër, të gjitha ndihmat e grumbulluara nga qytetarët tanë në Kazermën e FSK-së në Prizren, do të dërgohen nga Ushtria jonë, në mënyrë institucionale, në depot e rezervave shtetërore të Shqipërisë.

Kosova do të vazhdojë të jetë në gjendje gatishmërie, për çdo ndihmë të kërkuar, për popullin e Shqipërisë.

RH

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb