Bashkia e Durrësit ka përkujtuar 1-vjetorin e tërmetit tragjik të 26 nëntorit të 2019-s, ku humbën jetën 51 persona, u plagosën qindra dhe mbetën të pastrehë mijëra të tjerë.

Në një postim në Facebook-un zyrtar të bashkisë shkruhet se prej asaj fatkeqësie nuk ka qenë e lehtë të ringrihemi, por të gjithë bashkë ia kemi dalë për të kaluar ditët më të vështira.

POSTIMI I BASHKISË

Sot, një vit nga tërmeti i 26 nëntorit kujtojmë me respekt e dhimbje jetët e humbura atë natë tragjike që goditi qytetin dhe zemrat tona!

I paharruar qoftë kujtimi i tyre!

Kujtimet e asaj nate të tmerrshme nuk mund të largohen nga kujtesa jonë, e qytetarëve të Durrësit që përjetuan frikën më të madhe të jetës së tyre. Durrësi u godit shumë rëndë por nuk u dorëzua.

Prej asaj fatkeqësie nuk ka qenë e lehtë të ringrihemi, por të gjithë bashkë ia kemi dalë për të kaluar ditët më të vështira. Kemi punuar dhe do të vazhdojmë të punojmë ditë e natë me Rindërtimin në të gjithë territorin e bashkisë sonë, derisa të rekuperojmë edhe dëmin më të vogël.

Durrësi është plagosur dhe rrëzuar edhe herë të tjera në historinë e tij të lashtë por sërish ka gjetur forca të ringrihet dhe të jetojë edhe më mirë se më parë. Kështu po ndodh edhe sot, një vit pas tërmetit të tmerrshëm, ku të gjithë bashkë po ia dalim mbanë që qytetin e përkulur nga një fatkeqësi natyrore ta rikthejmë dalëngdalë në normalitet madje edhe më të mirë, edhe më të bukur edhe më të fortë se më parë.

Për Durrësin tonë!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb