Tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit me magnitudë 6.4 të shkallës rihter ka lënë pa banesa qindra qytetarë, në Durrës, Tiranë, Lezhë, Krujë, Laç e shumë vende të tjera.

Mes shumë banorëve që i ka kapluar trishtimi, disa për humbjen e njerëzve të tyre të dashur, e disa pasi pasuria e tyre mbeti nën rrënoja, 60 familje të një pallati 13 katësh në Durrës janë ngritur në protestë.

Banorët disa prej të cilëve po largohen nga pallati tregojnë se godina të tyre ju vu shiriti duke u konsideruar i pabanueshëm, por që nuk ju dha asnjë zgjidhje më pas. Ata thonë se kryeministri tha që të kontaktojnë me pronarin e firmës që ka ndërtuar pallatin për të kryer ai rikonstruksionin e tij, por që pronari ka ndërruar jetë 2 muaj më parë dhe firma është mbyllur. Në të tilla kushte banorët kanë mbetur pa asnjë zgjidhje.

Kamera e ‘News 24’ ka qenë në disa prej apartamenteve, në kate të ndryshme të këtij pallati ku vihet re se dëmet janë shumë të mëdha dhe apartamentet të pabanueshëm. Muret janë carë dhe orenditë janë dëmtuar, suvatë kanë rënë fasadat nga të katër anët e pallatit janë dëmtuar, duke bërë që banesat të jenë të pabanueshme nga banorët e rrezik për jetën e tyre. Po kaq e rëndë është edhe situata në lagjen numër 7, rruga 26 nëntori, në pallatin ku banon zëvendësministrja e Ministrisë së Brendshme Rovena Voda. Komshinjtë dhe të afërmit e saj i kanë bërë thirrje të dërgojë një grup inspektimi për pallatin 6 katësh të ndërtuar në vitin 1990. Komshinjtë e zëvendësministres janë arratisur prej ditësh nga pallati pasi i dy katet e para pësuan çarje muresh e suva të rëna, ndërsa i druhen faktit se kolonat mund të kenë pësuar dëmtime, pasi pallati i ndërtuar në 1990 me punë vullnetare për punonjësit e policisë nga ish të burgosurit politikë, ka dëmtime të konsiderueshme në fasadë e brenda apartamenteve. Vjehrri i zëvendësministres tha banesa e saj në katin e dytë, ka dëme të konsiderueshme por Voda nuk e ka vizituar akoma apartamentin, sepse jeton në shtëpi tjetër.

Banorët në Durrës kanë një shqetësim shumë të madh gati 10 ditë pas tërmetit katastrofik të 26 Nëntorit. Ata kërkojnë që të certifikohen banesat e tyre, të nisë dëmshpërblimi për të dëmtuarit e të gjendjet zgjidhje për banesat që kanë dalë të pabanueshme, pasi asnjë prej familjarëve nuk ka mundësi të sigurojmë banesë të re me çmimet e tregut.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: