Një familje në fshatin Malas Gropë në Bashkinë Dimal, familja e Kujtim Bahos, jeton prej 2-vitesh në një çadër dimërore. Shtëpia e tyre u shkatërrua nga tërmeti, por edhe pse u vlerësua nga grupi i ekspertëve kryefamiljari Kujtim Baho nuk ka marrë asnjë dëmshpërblim nga shteti dhe askush nuk ka ardhur për ti rikonstruktuar banesën.

Shtëpia e tij është totalisht e shkatërruar dhe e pabanueshme, tavani është rrëzuar dhe muret e trarët e banesës janë çarë e shembur.

Kujtimi Baho shprehet se, një dimër, pikërisht në vitin 2020 e kaloi në çadër me nënën e sëmurë, e cila për shkak edhe të situatës pandemike ndërroi jetë disa muaj më pas, ndërkohë që dimrin që sapo kaluam e përballoi sërish në cadër,me gruan dhe 2 fëmijët. “Kam kaluar ditët e sëmundjeve dhe të zisë në këtë çadër që shikoni. Kam ngritur zërin në shumë institucion, madje deri në ministri, por askush nuk ka vënë dorë që të më ndihmojë. Në vend që të më ndërtonin një banesë, më sollën një çadër të re pasi e para ishte shumë e vogël dhe ishte verore. Jemi në vitin 2021 dhe unë jetoj ende në çadër, në kushte tepër të vështira”, -shprehet Kujtim Baho. Kujtimi pohon se edhe pse ka trokitur shpesh herë në zyrat e bashkisë Dimal për të ngritur zërin e për të kërkuar ndihmë, ka marrë vetëm përgjigje negative dhe premtime.

Kujtimi dhe bashkëshortja e tij Entela bëjnë apel për ndihmë pasi nuk mund të jetojnë më në një çadër dhe pa asnjë kusht. Kujtimi madje arrin deri aty sa deklaron se nëse shteti nuk vë dorë ai do të vrasë veten.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb