Mes dhimbjes së madhe dhe pamjeve të trishtueshme të ditëve të fundit, ajo që nuk ka munguar ka qenë solidariteti i pamasë i shqiptarëve me të gjithë ata që janë në vështirësi nga goditja e tërmeteve.

Duket se pjesë e qindra vullnetarëve të këtyre ditëve ka qenë edhe zonja Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, e cila është parë, duke dalë nga Bashkia e Durrësit në orët e vona të kësaj të enjteje.

Teksa raportonte nga sheshi qendror i Durrësit, gazetari i “News24” dhe “BalkanWeb”, Ergys Gjençaj, ka arritur t’i shkëpusë këto fjali Lindës, e cila me modesti deklaron se nuk do ta donte protagonizmin në këto ditë të vështira, pasi sipas saj, me rëndësi në këto momente janë vetëm qytetarët.

“Kam dëshirë që kamerat tuaja të jenë vetëm tek njerëzit sepse nuk e mendova që do të kishte një kamera dhe nuk e doja të kisha asnjë lloj protagonizmi por vetëm njerëzit janë ata që i dinë nevojat shumë mirë dhe janë gjykatësit më të mirë i të gjithë kontributeve që aktorë të ndryshëm të huaj e shqiptarë japin për të kaluar këtë moment shumë të vështirë”, ka thënë Linda Rama.

Dihet që znj. Rama është një njohëse shumë e mirë e administrimit publik, aktiviste për adresimin e problematikave të komuniteteve lokale, si dhe njohëse e çështjeve që lidhen me institucionet ndërkombëtare. Nga burime pranë Bashkisë, ku gazetari ynë është interesuar, është mësuar se Linda Rama ka shpenzuar të gjithë ditën e djeshme, nga orët e para të mëngjesit, duke vullnetarizuar pranë shtabit lokal.

“Thjeshtë çdo qytetarë në mënyrën e vet është përpjekur që të gjej veten në gjithë këtë fatkeqësi të madhe dhe detyrim të madh ..dhe unë u përpoqa të gjej një hapësirë timen, këtu është shtabi i emergjencës së Durrësit dhe me aq ekspertize sa kam mbase isha e vlefshme kjo ishte edhe arsyeja që ndenja disa orë së bashku me të tjerë vullnetarë”, është shprehur bashkëshortja e kryeministrit.

Solidaritetin e shqiptarëve në këto ditë të vështira zonja Rama e ka cilësuar si një vlerë të kombit që duhet ta trashëgojmë edhe tek brezat e ardhshëm.

“Shqiptarëve nuk u ka munguar asnjëherë solidariteti për njëri tjetrit dhe është një nga vlerat e mëdha që kemi duhet ta trashëgojmë në brezat e tjerë dhe besoj që në raste fatkeqësisht ne jem gjithmonë bashkë. Mendoj që ajo që na mbetet është që tu urojmë më të mirën njerëzve dhe si në këto raste edhe në raste gëzimi të jemi solidar njëlloj për njëri tjetrin”, ka deklaruar ajo.

Për Linda Ramën ky solidaritet dhe bashkëjetesa fetare janë vlerat më të mëdha që e dallojnë kombin shqiptar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb