Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja ka mbledhur komunitetin e biznesit, me të cilët ka diskutuar në lidhje me situatën e rëndë të tërmetit dhe gjithashtu edhe për masat e marra ose që do të merren për të prekurit nga fatkeqësia.

Llatja në fjalën e tij deklaroi se Elbasani në këtë fatkeqësi tregoi zemrën e madhe qytetare, duke ndihmuar të prekurit nga tërmeti.

“Ne varrosim sot njerëzit tonë të dashur. Sot jemi mbledhur me kryetarët e bashkësive fetare, jemi edhe me përfaqësuesit e PD, por edhe me bizneset, qytetarët e thjeshtë, të cilët duan të kontribuojnë financiarisht për të ndihmuar në rehabilitimin e dëmeve prej tërmetit.

Duhet të jemi të gjithë bashkë të fortë, për të përballuar këtë situatë. Bashkia e Elbasanit është angazhuar bashkë me popullin, për të ndihmuar disa bashki, si ajo e Durrësit, Thumanës, Kavajës etj. Elbasani tregoi zemrën e madhe për t ndihmuar dhe Shtabin e Emergjencave në Durrës. Sot është momenti që të bëhemi të gjithë bashkë, për të kontribuar secili nga ne, për të bërë detyrën qytetare, patriote”, tha Llatja.

Ndërsa, biznesmeni Gjergj Luca u shpreh se njerëzit e suksesshëm e biznesmenët treguan se mund të ndihmojnë popullin në këto ditë të vështira për kombin shqiptar.

“Të heqim mentalitetin komunist. Ata që quajmë oligark, janë ata që ndihmojnë popullin në këto ditë të vështira.”, deklaroi Luca.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb