Presidenti francez, Emanuel Macron shprehu sot në deklaratën e tij, në hapje të Këshillit Europian, solidaritetin me popullin shqiptar pas tërmetit të 26 nëntorit që shkaktoi 51 të vdekur dhe mijëra të pastrehë.

Presidenti francez, Macron theksoi se Bashkimi Europian do të ofrojë politikë ndihme dhe se do të organizojë një konferencë ndërkombëtare donatorësh në dhjetor ose në janar.

“Ne do të diskutojmë gjithashtu për atë që ndodhi në Shqipëri. Dëshiroj t’i dërgoj nga këtu një mesazh solidariteti popullit shqiptar”, theksoi ai.

“Shpresoj që ne si europianë të marrim përsipër përgjegjësitë tona për të pasur një politikë ndihme dhe të mund të organizojmë një konferencë ndërkombëtare donatorësh tani në dhjetor ose në janar për t’iu gjendur pranë shqiptarëve”, deklaroi ai në fjalën e tij në kuadër të hapjes së Këshillit Europian.

“Pati dhjetëra të vdekur dhe mijëra persona që humbën edhe banesat e tyre dhe ndodhen tashmë në një situatë të vështirë, kështu që duhet t’u ofrojmë solidaritetin tonë këtyre familjeve, por edhe të japim ndihmën tonë për të rindërtuar Shqipërinë”, tha ai.

Presidenti francez, Emmanuel Macron propozoi javën e kaluar një konferencë ndërkombëtare donatorësh për të ndihmuar Shqipërinë dhe për t’i bërë ballë shkatërrimeve nga tërmeti që shkaktoi 51 të vdekur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb