Një tërmet shumë i fuqishëm me magnitudë 8.2 ka goditur sot Perunë. Lëkundjet e fuqishme janë ndjerë pothuajse në të gjitha vendet e amerikes së jugut, nga Ekuadori në Brazil deri në Kolumbi.

Epiqendra e tërmetit, e regjistruar nga qendra sizmiologjike peruane, ka qenë në Perunë qendrore, në zonën e Rezervës natyrore të Pacaya-Samiria.

Sipas Institutit ndërkombëtar të gjeofizikës dhe vulkanologjisë, tërmeti është regjistruar në natën mes të shtunës dhe të dielës, rreth orës 2:40 të 26 majit (ora lokale), rreth 9:40 e mëngjesit të së dielës me orën tonë.

Zona e goditur nga tërmeti është një zonë e mbrojtur e ndodhur në rajonin e Loreto dhe pjesa më e madhe përbëhet nga pyje. Epiqendra ka qenë në thellësinë 134 kilometra. Qendra paralajmëruese e Cunameve tha se nuk kishte rrezik për cunam pas tërmetit.
Deri tani nuk është raportuar për viktima, por vetëm dëme materiale.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb