Feja e Shqiptarit është Shqiptaria ndaj #JO, Kryeministri i një shteti laik nuk mund të përfshijë herë Islamin e herë Krishtërimin, në propagandën e tij politike.

Suportin shpirtëror, shqiptari duhet ta gjejë në Kishë e në Xhami, ndërkohë suportin material tek shtet-kombi i tij.

Nuk ka punë politika në fe, ashtu siç nuk ka punë feja në qeverisje, kur të dyja drejtohen nga vlerat e njeriut, humanizmi e universalizmi. Vetëm kur politika ose feja dalin nga binarët e këtyre vlerave, vetëm atëherë këto mund të dalin nga shtrati i tyre normal.

Ndaj feja e Shqiptarit është Shqiptaria, ashtu siç duhet t’i japim Cezarit atë që është e Cezarit. Këto maksima janë jetike për të ruajtur ekuilibrin delikat të bashkëjetesës fetare në Shqipëri.

Individualisht çdo shqiptar gëzon lirinë për të besuar sipas fesë së tij, dhe kjo mundësohet vetëm pasi kolektivisht çdo shqiptari i kërkohet të besojë vetëm në Shqiptari. Ky është gur-themeli i modelit unik të bashkëjetesës fetare shqiptare. Në çështjet e besimit fetar, besimi i përbëshkët nuk i imponohet kurrë besimit individual, ashtu siç besimi individual nuk i imponohet kurrë besimit të përbashkët.

Neni 10 i Kushtetutës sanksionon pikërisht këtë gjë, “Shqipëria nuk ka një fe zyrtare”, pra shteti nuk përzihet në çështjet e besimit.

Kur i pari i Shqiptarëve, Kryeministri i Republikës, përfshin besimet fetare në deklarimet e tij, ai indirekt bëhët zëvëndës i tyre. Por Kryeministri nuk është as Hoxhë e as Prift. Dhe postimet e tij të fundit me citate fetare e çojnë diskursin publik post-tërmet në një territor shumë delikat.

Ai prish balancën delikate të bashkëjetesës sonë fetare duke fshirë kufinjtë mes Kryeministrit që menaxhon paratë tona, dhe Hoxhës/Priftit që menaxhon besimin tonë individual.

Thelbi i çështjes :

A duhet ta gjykojmë Kryeministrin për mënyrën sesi po menaxhon krizën post-tërmet, sipas rregullave të shkruara në ligjet shqiptare, apo sipas atyre të shkruara në librat e shenjtë?

Me fjalë të tjera, nëse Kryeministri apo bashkëpunetoret e tij Dako & Co kanë sadopak përgjegjësi për humbjen e jetëve dhe dëmet e shumta gjatë termetit të 26 nëntorit, nëpërmjet abuzimeve me lejet e ndërtimit kur kanë qënë Kryetarë Bashkie, a duhet të kërkojmë drejtësi tokësore apo drejtësi hyjnore?

Nëse feja e Shqiptarit është Shqiptaria, atëherë ne duhet të ndjekim kushtetutën e ligjet e shkruara nga sovrani shqiptar dhe drejtësia duhet të bëhet sot, para gjykatave e sipas ligjeve që përfaqësuesit e kombit shqiptar kanë votuar në parlamentin Shqiptar.

Nëse e shohim Ramën si mesi, dhe pranojmë që ai t’i adresohet kombit shqiptar mbi bazën e teksteve të shenjta, ateherë duhet të pranojmë që drejtësia për të do të bëhet në botën tjetër.

Fundja, le të jemi konkret, cili është qëllimi i vërtetë që ai zgjedh të postojë citate fetare në profilin e tij si Kryeministër i Republikës? Ai duket sikur kërkon të ngushëllojë e t’i gjëndet pranë viktimave të tërmetit duke përhapur fjalën e shenjtë, apo jo? A është vallë kjo detyra e tij, a është kjo çfarë presim nga Kryeministri? A presin Shqiptarët vallë një citat nga Bibla/Kurani, apo një shpjegim përse ju morrën në mënyrë arbitrare paratë e tyre nga pagat e fundvitit, dhe jo nga koncesionet qindra milion dollarëshe?

Por dhe nëse ja pranojmë këtë rol “fetar” të tij, pra indirekt rolin e një “mesie”, i bie të pranojmë që ai është përfaqësues i Zotit, dhe jo i shqiptarëve apo jo?

Pavarësisht sa më sipër, po, shqiptarët duhet të besojnë më shumë në Zot, më shumë në komb e më shumë në familje. Shqiptaria është e madhe se ka Kosovë e ka Çamëri, se ka Allah e ka Yahweh, se ka veri e ka jug, se ka Tosk e ka Gegë, se ka male e ka fusha, se ka dhe perëndim por ka dhe lindje, ka krishtërim ashtu siç ka dhe islam.

Kjo është arsyeja pse feja e Shqiptarit është shqiptaria. Kjo është arsyeja përse ne të gjithë i këndojmë vargjeve “Se Zoti vetë e tha me gojë / Që kombet shuhen përmbi dhe, / Po Shqipëria do të rrojë / Për të, për të luftojmë ne!”. Sa me vlerë këto vargje sot…

Dhe është pikërisht prishja e këtij ekulibri delikat, por të jashtëzakonshëm, që luftoi për 50 vite Komunizmi anti-shqiptar. Në vend të Xhamisë e të Kishës, shqiptarëve ju kërkua me dhunë, me gjak e shkatërrim, të shkonin të faleshin ekskluzivisht para shtetit-parti, para diktatit të gjithësisë ku dhe ekonominë dhe politikën, dhe pronën private ashtu dhe besimin fetar individual, gjithçka duhej të kalonte vetëm nga Ai, nga Diktatori. Vetëm Ai mund të fliste në emër të popullit, por dhe të Zotit. Ai ishte dhe drejtësia tokësore, dhe ajo hyjnore, Ai ishte dhe parlamenti, dhe ekzekutivi dhe gjyqësori, dhe shtypi proletar dhe arti socialist, Ai ishte dhe Kisha, dhe Xhamia, Ai ishte gjithçka!

Rama duket se po kërkon të njëjtën gjë, por në një formë tjetër.

Mbyllja e portaleve në rrjete sociale, arrestimi i Xhulias, kapja e pushtetit vendor, legjislativ e gjyqësor, presioni ndaj fjalës së lirë, dhe së fundmi, shtrirja e komunikimit të tij publik dhe dimensionin fetar, gjithçka ulëret për “Rilindjen” e një mesie, të një mesie anti-shqiptare…

– 0 – 0 – 0 –

PS – në foto, Ferizaj, Kosovë, Kisha e Xhamia në të njëjtin oborr.

78572750 1599140180265396 8290073903972220928 O
78572750 1599140180265396 8290073903972220928 O

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: