“Motra ime ka ndrydhje dhe mpiksje gjaku, por nuk ka pësuar thyerje apo këputje këmbësh,” tha motra e Elsa Toros – bashkëshortes së të ndjerit Erjon Toro, emigrantit që humbi jetën nga tërmeti në Itali.

Familja e të ndjerit Erjon Toro ka hapur dyert e mortit në Roskovec të Fierit. Toro ndërroi jetë të mërkurën në mëngjes nga goditjet e forta të tërmetit, ndërsa bashkëshortja e tij me dy fëmijët i mbijetuan tragjedisë dhe fatmirësisht janë mirë.

Elsa Toro ka marrë disa plagë në këmbë, por ato nuk i janë prerë dhe lajmin e mirë e konfirmon vetë motra e të mbijetuarës, njëherësh kunata e të ndjerit, R. S., e cila me të marrë vesh lajmin mbi ngjarjen ka udhëtuar drejt Italisë, për t’i qëndruar pranë së motrës dhe dy mbesave të saj.

E kontaktuar nga ‘Koha Jonë’, R. S shfaqet e pezmatuar nga lajmet që mediat në vendin tonë transmetojnë, apo siç ajo thotë deformojnë.

“Veç fatkeqësisë që na ra për pjesë, ku bashkëshorti i sime motre vdiq, tani na duhet të durojmë edhe sajesat e portaleve, të cilat thonë që nga tërmeti motra ime ka thyer, apo këputur të dyja këmbët. Nuk është e vërtetë. Ju lutem, se mjaft të shqetësuar jemi nga halli që na ra për pjesë. Edhe sikletin për të bindur prindërit në Shqipëri që motra dhe fëmijët janë mirë kemi mangët. Motra ime ka dëmtuar këmbët, më saktë ndrydhje dhe mpiksje gjaku, por nuk ka pësuar thyerje këmbësh, apo ku di unë çfarë thuhet nëpër mediat shqiptare”.

Kështu shprehet kunata e të ndjerit Toro, e cila kërkon të qetësojë edhe familjarët e saj, që mesa duket pas lajmeve ne versione të ndryshme për të bijën, duket se nuk binden kollaj që ajo dhe vajzat janë mirë.

Shqiptari Erjon Toro, 32 vjeç nga Fieri humbi jetën në tërmetin e datës 24 gusht në Itali.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb