TIRANE – Qeveria shqiptare do të mbulojë shpenzimet për kthimin e trupit të 34-vjeçarit Erjon Toro, i cili humbi jetën nën gërmadha, pas tërmetit që goditi Italinë Qëndrore dy ditë më parë.

Lajmi është bërë i ditur nga kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, e cila tha se qeveria ka marrë përsipër të gjitha shpenzimet, për të sjellë trupin e të riut në fshatin Kurjan të Fierit. Ambasada shqiptare në Itali po punon për përmbylljen e të gjitha procedurave, për nisjen e trupit në Shqipëri.

“Trupi do të vijë shumë shpejt pranë familjes. Të shtunën trupi në Brindisi, shumë shpejt drejt familjes. Të gjitha strukturat vendore dhe qendrore janë në veprim, për të ndihmuar familjen Toro. Për sjelljen e trupi nuk do të ketë asnjë pengese qoftë ekonomike apo dokumentesh”- deklaroi kryetarja e Bashkisë Roskovec.

Erjon Toro u gjet i pajetë mëngjesin e 24 gushtit nën gërmadhat e shtëpisë së tij në Amatrice, qytezë që u rrafshua pothuajse tërësisht nga tërmeti. Dramës së familjes Toro i shtohet plagosja e bashkëshortes së Erjonit, e cila ka humbur të dyja këmbët. I vetmi ngushëllim për ta është fakti se të dyja vajzat e mitura të Erjonit, 9 dhe 4 vjeçe, kanë shpëtuar mrekullisht.

Erjon Toro jetonte prej 16 vitesh në Itali, bashkë me familjen e tij, ku punonte në ndërtim.

Si pasojë e tërmetit 6.2 ballë që goditi Italinë Qendrore në orën 3:36 të së mërkurës humbën jetën 268 persona dhe u plagosën shumë të tjerë. Erjon Toro ishte i vetmi shqiptar që humbi jetën.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: