TIRANE

Pas tërmetit të 26 Nëntorit që la pasoja të rënda tek ndërtimet në vend si dhe situatës me sektorin e ndërtimit në tërësi, qeveria ka propozuar rregulla më të forta në sektorin e ndërtimit.

Nisma ligjore që është depozituar në Kuvend shton dy nene të reja në Kodin Penal, duke parashikuar deri në 15 vjet burg për personat që dëmtojnë me dashje ndërtesa, objekte publike, vepra të infrastrukturës dhe çdo objekt tjetër që mund të rrezikojë jetën ose shëndetin e njerëzve për shkak të ndërhyrjeve të paligjshme.

Shkatërrimi i plotë ose i pjesshëm i çdo objekti do të dënohet me gjobë ose me burg deri në 5 vite. Kur nga ndërhyrjet e paligjshme kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënimi do të jetë nga 5 deri në 10 vjet burg.

Kur shkaktohen pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, dënimi do jetë nga 7 deri në 15 vjet burg. Sipas hartuesve të këtij projektligji amendimet e propozuara në Kodin Penal synojnë rritjen e përgjegjshmërisë dhe të përgjegjësive të subjekteve ndërtuese në të ardhmen, me qëllim ushtrimin e veprimtarisë së tyre, duke zbatuar rigorozisht kërkesat, kushtet dhe kriteret ligjore dhe teknike nw fushën e ndërtimit.

Nëpërmjet projektligjit synohet të përcaktohen sanksione penale kundrejt subjekteve që në veprimtarinë e tyre nuk kanë përmbushur apo kanë shmangur me dashje detyrimet ligjore të përcaktuara në aktet e posaçme që i përkasin fushës së ndërtimeve private dhe publike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb