Partia Demokratike i drejtohet me një kërkesë zyrtare qeverisë dhe Bashkisë së Krujës, ku iu kërkon të japin brenda 10 ditësh informacion për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kërkesa mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi, dhe në të thuhet se kërkohet informacion për dy pallatet e shembura nga tërmeti. Sipas PD, qeveria dhe Bashkia Krujë duhet të japë llogari për vdekjen e 24 qytetarëve të vdekur nga tërmeti në Thumanë.

Njoftimi i PD:
Pas heshtjes së Qeverisë për pyetjet tona publike, Sekretari i Përgjithshëm i PD z. Gazment Bardhi, i drejtohet me kërkesë zyrtare për informacion Qeverisë dhe Bashkisë Krujë, për 5 çështjet e mëposhtme:

1. Pas tërmetit të datës 21 Shtator 2019, a ka kërkuar zyrtarisht dhe a ka kryer Bashkia Krujë verifikimin e sigurisë dhe gjendjes së dy pallateve të shkatërruara në Thumanë nga tërmeti i datës 26 Nëntor 2019? Nëse po, ju lutem na vini në dispozicion dokumentin zyrtar që e provon këtë. A është informuar ose raportuar pranë Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile (KNEC) për gjendjen e këtyre pallateve?

2. A u verifikuan dy pallatet në Thumanë pas tërmetit të 21 Shtatorit? Nëse po, kush janë ekspertët që u angazhuan dhe çfarë vlerësimi bënë ata? Lutemi një kopje të aktit të konstatimit/verifikimit të hartuar dhe nënshkruar prej tyre.

3. A u lajmëruan banorët për gjetjet e ekspertimit/verifikimit?
4. Nëse godinat ishin vlerësuar si të rrezikshme, çfarë masash u morën për strehimin e banorëve dhe ndalimin e hyrjes në ato banesa?
5. Kush lejoi futjen e banorëve në pallatet e shembura në 26 Nëntor 2019 dhe mbi çfarë bazë u bë kjo?

  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb