Tërmeti i 26 nëntorit, që mori 51 jetë njerëzish ka sjellë arrestimet e para. ‘BalkanWeb’ mëson se një valë arrestimesh kanë nisur në qytetin e Durrësit, një nga qarqet më të prekura nga tërmeti me magnitudë 6.4 të shkallës rihter.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për ‘BalkanWeb’ se deri më tani janë shoqëruar 35 persona, punonjës të të gjitha strukturave te shtetit që lidhen me hetimet për vënien para drejtësisë të përgjegjësve sa i takon sigurisë së godinave.

Po ashtu bëhet e ditur se mes të ndaluarve është dhe drejtori Ahmet Doda i Kavalishensës si dhe nëndrejtori Kujtim Hasa. Po ashtu, të shoqëruar janë edhe ish-drejtori i ALUIZN-it në Durrës, Arben Isaku, Aldo Dakovelli, Artemis Malko.

Kujtojmë se Prokuroria e Durrësit ka nisur, që më datë 29 nëntor, çështjen penale që i referohet tërmetit të 26 nëntorit, ku pas shembjes së disa ndërtesa humbën jetën 25 persona. Çështja në fjalë është regjistruar për veprat penale, “Ndërtim pa leje” dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga nenet 199/a, 3 dhe 248 të Kodit Penal.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb