ITALI – Ora 3.36 e 24 gushtit 2016 do të mbahet mend gjatë nga italianët, të cilët u përballën me katastrofën që shkaktoi tërmeti 6.2 ballë. Toka vijon të lëkundet në Italinë Qendrore, ku tërmeti i së mërkurës ka lënë pas dhimbje pafund. Zonat më të goditura nga tërmeti janë: Amatrice, Arquata del Tronto, Pescara del Tronto dhe Accumoli, ku tërmeti shkaktoi 241 viktima e shumë të plagosur.

Mediat italiane kanë publikuar fotografitë dhe historitë e disa prej viktimave.
Ana Huete, 26 vjeç, me origjinë nga Granada në Spanjë. Ishte e fejuar me një italian dhe ndodhej në një nga zonat e prekura nga tërmeti, për të kaluar pushimet në familjen e të fejuarit.

Marisol Piermarini, 18 muajshe u nxor e gjallë nga gërmadhat në Arquata del Tronto, por humbi jetën në spital. Prindërit e saj Massimiliano dhe Martina janë plagosur. Ata i kishin mbijetuar edhe tërmetit të 2009-ës që goditi Aquila-n.

Ezio Tulli, 42 vjeç, ishte zv/drejtor i policisë rrugore në Aprilia. Vdiq në Amatrice bashkë me dy fëmijët e tij, 14 dhe 12 vjeç.

Arianna Masciarelli, 15 vjeç, kishte shkuar në Pescara del Tronto për të kaluar pushimet tek gjyshërit e saj. Ajo priste të niste studimet në liceun artistik të Pomezia, në provincë të Romës, aty ku jetonte.

Fabrizio Trabalza 45 vjeç dhe Paola Rascelli 43 vjeç. Humbën jetën në shtëpinë e tyre në Amatrice. Fabrizio ishte webmaster i organizatës Acti-Roma.

Alessandro Neroni, 42 vjeç, punonte si parukier në Civitanova Marche. Vdiq në Amatrice, nën rrënoja, në shtëpinë e prindërve të tij.

Nadia Magnanti, 44 vjeç vdiq bashkë me djalin e saj Lorenzo, në shtëpinë e tyre në Amatrice. Bashkëshorti i saj shpëtoi mrekullisht.

Tiziana Lo Presti, 60 vjeç, ishte funksionare e mbrojtjes civile. Ajo vdiq në Saletta, zonë e Amatrice, ku kishte shkuar për ti qëndruar pranë nënës së saj, e cila ishte shtruar në spital. Tiziana humbi jetën, ndërsa nëna e saj shpëtoi.

Elisa Cafini, 14 vjeç nga Pomezia, ndodhej në Pescara del Tronto në shtëpinë e gjyshërve bashkë me kushëririn e saj 8 vjeç. Humbën jetën të gjithë nën gërmadha.

Giacomo Dell’Otto, 52 vjeç, agjent imobiliar. Ndodhej në shtëpinë e tij në Amatrice, ku kthehej vetëm për pushime.

Fabio Graziani, 42 vjeç dhe Aurelia Daogaru. Jetonin në Nettuno, por kishin shkuar në Amatrice për të kaluar pushimet, ku humbën jetën të dy. Djali i tyre 9-vjeçar shpëtoi.

Giampaolo Pace, 43 vjeç, drejtues i karabinierëve në Aquila. Ndodhej në Accumoli për të vizituar prindërit e tij.

Paola Rascelli, 43 vjeç, jetonte në Romë, por kishte shkuar në shtëpinë e saj në Amatrice për pushime, ku vdiq bashkë me bashkëshortin Fabrizio Trabalza.

Anna Grossi, 21 vjeç humbi jetën në shtëpinë e saj në Amatrice, ku ndodhej bashkë me të fejuarin Claudio Leonetti, i cili u nxor i gjallë nga gërmadhat.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb