Sizmologu Llambro Duni tha në një lidhje telefonike për “News24” se lëkundjet e tërmetit të regjistruara gjatë kësaj të hëne janë paslëkundje të tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019.

Sizmologu u shpreh se tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi disa thyerje tektonike dhe për këtë arsye paslëkundjet do të na shoqërojnë për një kohë të gjatë.

“Po, ishte një tërmet. Është paslëklundje e tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar. Mjedisi tektonik ku ka ndodhur ngjarja e 26 nëntorit dhe në vijim është i komplikuar. Nuk është se kemi një thyerje të vetme, e cila gjeneroi atë tërmet, dhe më tej do të kishim një shuarje graduale të aktivitetit, por kemi disa thyerje tektonike, që shkaktojnë akumulim tensionesh dhe sjellin tërmete edhe në një kohë të gjatë. Ndaj dhe lëkundja e sotme është një postlëkundje e tërmetit të 26 nëntorit”, tha Duni.

I pyetur nëse duhet të kemi frikë nga këto lëkundje, sizmologu Duni theksoi se këto lëkundje janë normale dhe nuk kemi pse frikësohemi, me përjashtim të rasteve, kur banesat janë të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit dhe janë në gjendje të vështirë ekuilibri.

“Duke e konsideruar tërmetin e fundit si kryesor të këtyre lëkundjeve të së hënës, kjo ngjarje do të ndiqet nga disa ngjarje të tjera, që do të jenë në vijimësi me intensitet më të vogël. Ndodhia e ngjarjeve të tilla është normale dhe nuk duhet të kemi frikë nga këto pasgoditje, me përjashtim të rasteve, kur lëkundje të tilla pranë epiqendrës mund të shkaktojnë efekte në strukturat, që janë në gjendje të vështirë ekuilibri. Duhet patur parasysh që njerëzit të mos hyjnë në struktura të tilla, pasi edhe një lëkundje sado e vogël, mund të sjellë dëmtime”, u shpreh sizmologu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb