Tërmeti i fortë i mëngjesit të së martës nuk do të jetë i lehtë për t’u harruar nga shqiptarët. 36 persona kanë mbetur të vdekur deri tani, ndërsa kanë pësuar lëndime 657 të tjerë. Qendrat më të goditura kanë qenë Durrësi dhe Thumana. Ndërkohë që prej mëngjesit të djeshëm vijon kërkimi i të mbijetuarve dhe personave të zhdukur nën rrënoja e godinave të shembura në Durrës e Thumanë.

Ministria e Mbrojtjes njofton se janë nxjerrë nga rrënojat e pallatit 6-katësh në Durrës trupat e pajetë të Dolora dhe Klaus Reçi, nënë e bir, ndërsa gazetarja Dorjana Bezat tha për “BalkanWeb” se është nxjerrë trupi i pajetë i një femre nga familja Lala, duke e çuar kështu numrin e viktimave në 36.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi pak më parë për “BalkanWeb” se viktima e fundit që është nxjerrë nga rrënojat në Thumanë është shtetasi Kastriot Cakoni. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar deri më tani 30 viktima, por gazetarët e “News24” dhe “BalkanWeb”, të vendosur në pikat më të rrënuara nga tërmeti, thonë se janë 36 trupa të pajetë të nxjerrë nga rrënojat.

Kryeministri Edi Rama shpalli sot gjendjen e jashtëzakonshme në Durrës e Tiranë, dy qarqet më të prekura nga tërmeti.

ZHVILLIMET NGA TERMETI TE NDODHURA GJATE DITES

Tre viktima u nxorën nga pallati 6 katësh që u shemb në Durrës; 5 viktima në rrënojat e 3 pallateve që u shembën në Thumanë; 4 viktima janë nxjerrë nga rrënojat në Kënetë në Durrës.

Në vilën që u shemb në Kënetë, tre viktima në familjen Lala por nga kjo familje u shpëtua një 17-vjeccar.

Një viktimë u gjet në rrënojat e Kavalishencës në Durrës. Bëhet fjalë për policin Bajram Hadërmataj. Një person nga paniku u hodh nga pallati në Kurbin duke humbur jetën.

Dy vëllezër të rinj nga Kosova u nxorën të pajetë nga rrënojat e ‘Tropikalit’. Në Thumanë e Durrës situata vijon të jetë e rëndë pasi ka ende njerëz në rrënoja.

Mëngjesin e sotëm u nxor i vdekur edhe 32-vjeçari Klement Çupi, ndërkohë në spital ka humbur jetën 31-vjeçari Saimir Greku, i cili nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.

Pavarësisht se shpresat nuk ishin shuar, lajme erdhën nga Thumana, atje ku tërmeti i së martës ishte shkatërrues, duke shkaktuar viktima. Çifti i bashkëshortëve, Pëllumb dhe Çelike Greku janë nxjerrë të pajetë nga rrënojat e pallatit 6-katësh ku banonin.

Sot është shpallur ditë zie kombëtare nga qeveria. Sipas IGJEUM, që nga dje e deri sot, ka pasur rreth 310 paslëkundje.

Ndërkohë në kampingun e Thumanës janë ngritur rreth 67 çadra ku janë strehuar 700 banorë dhe po kështu janë ngritur kampe edhe në Durrës, Manëz, Ishëm, Sukth e Katund i Ri, rreth 181 çadra në total, ku janë strehuar rreth 1450 banorë.

Shqipëri u trondit mëngjesin e së martës nga një tërmet i shkallës 6.3 të shkallës Rihter që ra në orën 3:54 të mëngjesit dhe u pasua me disa lëkundje të tjera.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: