Nëntori i vitit të kaluar shënoi një nga ngjarjet më të rënda për kombin shqiptar.

Pasojat e tërmetit ishin tragjike, ku dhjetëra njerëz humbën jetën nën rrënojat e banesave të shembura.

Mes atyre që humbën jetën ishin edhe vëllezërit Shemsedin dhe Isa Abazi nga Kosova. Vëllezërit nga Livoçi i Epërm i Gjilanit, 33 dhe 29 vjeç dhanë frymën e fundit në Shqipëri, aty ku vinin shpesh për të punuar, duke lënë pas 6 fëmijë jetimë.

Historia e tyre preku mbarë shqiptarët dhe ngjarja u bë akoma më e dhimbshme kur familjarët treguan se ata kurrë nuk udhëtonin të dy bashkë, pasi kishin frikën e ndonjë aksidenti dhe nuk donin të largoheshin nga kjo botë të dy, që familjarët të mos mbeteshin pa përkrahje.

Por mesa duket fati i tyre ishte përcaktuar të iknin bashkë. Në varrimin e tyre morën pjesë mijëra vetë nga trojet shqiptare dhe diaspora, si një homazh edhe për të gjithë viktimat e tërmetit të nëntorit në Shqipëri. Sot një vit pas kësaj tragjedie shumëçka ka ndryshuar, por një gjë mbetet e njëjte, dhimbja për të humburit, një plagë kjo e cila për familjarët nuk do të mbyllet kurrë. Dhimbja e nënës së tyre është e madhe e lotët nuk i shterojnë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb