Ish-udhëheqësi i rebelëve në Kongo, Bosco Ntaganda, u shpall fajtor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Gjykatësit në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime thanë se forcat besnike të tij u kanë nxjerrë zorrët foshnjave dhe u kanë thyer kokat.

Në total, Ntaganda, me nofkën “Terminator”, u shpall fajtor për 18 akuza, përfshirë vrasje, përdhunim, skllavëri seksuale dhe përdorimin e fëmijëve si ushtarë. Ai është personi i parë që shpallet fajtor për skllavëri seksuale nga gjykata në Hagë.

Avokatët e tij thanë se Ntaganda, 45 vjeç, ishte viktimë, pasi ishte rekrutuar si një fëmijë ushtarë. Por, sipas prokurorëve, ai ka mbikëqyrur masakrimin e civilëve nga ushtarët e tij në rajonin Ituri të Kongos, në vitet 2002 dhe 2003, shkruan rel.

Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, më shumë se 60,000 njerëz janë vrarë që nga shpërthimi i dhunës në rajon në vitin 1999, ku milicitë luftojnë njëra-tjetrën për kontrollin e burimeve të pakta minerale. Ntaganda u dorëzua në ambasadën amerikane në Republikën Demokratike të Kongos në vitin 2013.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb