PARIS – Pas atentateve të përgjakshme në Paris, ka shpërthyer menjëherë alarmi në lidhje me Europianin 2016, i cili do të organizohet pikërisht në Francë. Pa dyshim që akti i dytë brenda pak muajve (më 7 janar 2015 u sulmua redaksia e gazetës satirike “Charlie Hebdo”), në Paris ka vënë seriozisht në dyshim zhvillimin e këtij kompeticioni fantastik të futbollit, në të cilin do të marrin pjesë 24 skuadra, për një total prej 51 ndeshjes, mbi 500 lojtarë të përfshirë dhe pa llogaritur miliona tifozët që parashikohet ta ndjekin atë.

Masat e sigurisë, edhe pse të larta në një nga vendet më të zhvilluara të botës, me sa duket nuk mjaftojnë kundër celulave terroriste, të cilat kanë marrë në shënjestër Parisin dhe paralajmërojnë të tjera akte të frikshme, duke ngritur dyshime të mëdha në pritje të verës së ardhshme.
Këtë fakt e ka konfirmuar vetë presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Noel Le Graet, në një deklaratë për të përditshmen “L’Equipe”.

“Shqetësimi për organizimin dhe masat e sigurisë që duheshin marrë nga ne si shtet dhe federatë ekzistonin për zhvillimin e Europianit, por pas kësaj ngjarjeje tragjike të radhës, shqetësimi ynë bëhet edhe më i madh. Të gjitha mendimet dhe ndjenjat e mia shkojnë për familjet e të gjitha viktimave”.

Reagimi i UEFA-¬s Xhani Infantino, sekretari i përgjithshëm i UEFA-¬s, është solidarizuar me viktimat dhe tragjedinë që goditi Parisin, por në lidhje me hipotezën e hedhur nga presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Noel Le Graet, se Europiani mund të mos luhet në tokën transalpine, ai konfirmon: “Euro 2016 do të luhet në Francë dhe për këtë ju garantoj. Stadiumet janë vendet më të sigurta në botë. Policia dhe instancat e tjera të sigurisë franceze kanë bërë shpesh stërvitje për sulme të mundshme terroriste apo ngjarje të tjera të rrezikshme, por rezultatet kanë qenë fantastike, ndaj nuk ka pse të ketë panik për organizimin”.(panorama)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: