Prokuroria e Pogradecit ka finalizuar hetimet për dy sulmet me armë mbi hotel Volorekën në Drilon, ku në shënjestër për tu ekzekutuar ishte Johan Muçllari, djali i pronarit të biznesit.

Meard Berberi, i njohur si Koro dhe 3 persona të tjerë, janë marrë në pandehur për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese e rrezikshme për jetën e shumë personave mbetur në tentativë.

“Elvir Haxhia së bashku me Ilir Meçollin, nën organizimin e Meard Berberit, kanë tentuar të vrasin Johan Muçllarin në dy episode të sulmeve me armë, me 1 dhe 8 gusht 2020. Në të dyja rastet, autorët e dyshuar kanë përdorur të njëjtat armë”, thekson prokuroria.

Sipas akuzës, konflikti mes Berberit dhe të dëmtuarit Muçllari, ka lindur kur ky i fundit do të paraqitej në gjykatë me 10 shkurt të vitit të kaluar, për të dëshmuar në procesin ndaj Mariglen Topuzit. Ai është ndaluar të japë dëshminë e nga ky moment është vënë në shënjestër, pasi sikurse thuhet në dosje, është më herët persona të armatosur e kanë kërcënuar, e në vazhdim sulmet janë intensifikuar, pasi në datën 8 gusht plot 82 plumba janë shtënë në drejtim të dhomës së hotelit ku ai flinte.

Bashkë me ish-zyrtarin e bashkisë së Pogradecit, Meard Berberi do të gjykohen edhe Anterio Kaloshi dhe Ervin kalaja, për akuzën e mbajtjes pa leje të armëve në sasi të mëdha, të cilat u sekuestruan gjatë një aksioni policor në zonën e Freskut.

Ndërsa, Ardian Xhuti dhe Mariglen Topuzi, janë marrë të pandehur vetëm për akuzën e moskallëzimit krimit. Për afro një vit ata u hetuan për akuzën e vrasjes, por kjo akuzë u rrëzua në finale të hetimeve nga prokurori.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb