Shtyhet gjyqi për tre të arrestuarit në lidhje me dy sulmet me breshëri plumbash në drejtim të hotel “Voloreka” në Tushemisht të Pogradecit, ngjarje që terrorizoi jo vetëm pronarët por edhe pushuesit që qëndronin aty.

Sipas gazetares Klodiana Lala, shkak për shtyrjen e gjyqit në Tiranë u bë mos paraqitja e prokurorëve, due e shtyrë procesin për në datën 18 shtator.
Shtetasit Meard Berberi, Anterio Kaloshi dhe Ervin Kalaja gjatë seancës për caktim të masës së sigurisë u akuzuan nga Prokuria e Pogradecit vetëm për arsenalin e armëve që iu gjet në momentin e arrestimit të tyre.

Tre të dyshuarit u arrestuan në kryeqytet, më 13 gusht. Cështja erdhi në Gjykatën Penale të Tiranës për shkak se gjykata e Pogradecit shpalli moskompetencë territoriale.

Meardi Berberi, 34 vjeç, banues në Pogradec (person me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër jetës dhe pronës);Anterio Kaloshi, 29 vjeç, banues në Lushnjë (person me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër jetës dhe pronës) dhe Ervin Kalaja, 40 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”) u arrestuan gjatë një operacioni të mirëorganizuar nga Shërbimet e Forcave Operacionale në zonën e Linzës, Tiranë, në garazhin e shtetasit Ervin Kalaja.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient, këtyre shtetasve iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 armë zjarri tip pistoletë, 1 armë gjuetie, 1 thikë, krehra, sasi municioni luftarak, të cilat i posedonin pa leje, dokumente të dyshuara si të falsifikuara, sasi monetare në lek dhe euro.
Gjithashtu janë sekuestruar pjesë të ndryshme të armëve të zjarrit që dyshohet se janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale, të cilat do dërgohen për ekzaminim ne laboratorin shkencor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: