BRUKSEL- Salah Abdeslam ndodhet ende në Bruksel të Belgjikës. Lajmi është bërë i ditur nga media amerikane “ABC News”. Terroristi më i kërkuar në Europë, i vetëm deri tani që i ka shpëtuar Policisë pas sulmeve në Paris, po kërkon që të arratiset drejt e në Siri.

Këtë e ka konfirmuar për forcat e antiterrorit, vëllai i tij, Mohamed Abdeslam, i cili i bëri thirrje Salahut që të dorëzohet. Salah Abdeslam është i vetmi pjesëmarrës i sulmeve që nuk është kapur ende. Ai arriti që të arratisej nga Parisi për në Belgjikë duke i shpëtuar Policisë dhe duke përdorur një identitet të rremë.

Mësohet se disa shokë të Abdeslamit kanë arritur që të kontaktojnë me të përmes një llogarie në “Skype”. Ata kanë mësuar se ai fshihet ende në Bruksel dhe po tenton të shkojë në Siri. Shokët e Abdeslamit kanë njoftuar vëllanë e tij të madh dhe ky i fundit i ka thënë Policisë. “Unë besoj se ndodhet këtu në Bruksel dhe i bëj thirrje të dorëzohet”, tha Mohamedi.

Nga ana tjetër, Abdeslami konsiderohet si tradhtar nga ISIS, i cili me shumë mundësi do të hakmerret ndaj tij, pasi nuk e hodhi veten në erë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: