Kryeministri Edi Rama ka ironizuar me akuzën e Lulzim Bashës ditën e djeshme se qeveria me keqmenaxhimin e pandemisë po kryen terrorizëm shtetëror.

Rama thotë se aq shumë janë konsumuar fjalët ekstreme në Shqipëri, sa e kanë humbur kuptimin dhe po bëhet groteske e qesharake.

Ai thotë me ironi shprehjen se ”Po të flesh me qenin, gdhihesh me pleshtat” duke shtuar se sado larg që t’u rrish akuzave, sërish ato spërkasin.

”Po kur thotë për terrorizëm shtetëror. Kaq shumë janë konsumuar fjalët këtu, sa kanë humbur kuptimin. Fjalë groteske. Po të flesh me qenin, gdhihesh me pleshta. Sa të mundohesh të rrish larg nga kjo llumnajë e zullumnajë është e pamundur që të mos spërkasin me llumin e tyre. S’kemi çfarë bëjmë, këtu jemi dhe në këto kushte do bëjmë. Në këto kushte në të gjitha këto që përmenda, do e bëjmë Rindërtimin një proces historik.”- tha Rama.

 

Kryeministri nuk ka harruar të kujtojë edhe çështjen e gjimnazit ”Sami Frashëri” ku ka ironizuar me ish-deputeten e PD, Jorida Tabaku dhe kryetaren e LSI, Kryemadhin. Ai ka premtuar se gjimnazi do jetë dy herë më i madh dhe shumë më i bukur. Po ashtu paralajmëroi që së shpejti fillon puna tek Teatri Kombëtar në Tiranë.

”Më mjafton episodi i djeshëm mbase, me balonën tabakë që u shfaq tek dera e ‘’Sami Frashërit’’. U shfaq për të thënë këtu s’ka gjë. Dhe me Monikën nga ana tjetër u shfaq tek xhamia e saj imagjinare edhe tha, këtu s’ka gjë. Gjimnazi Sami Frashëri do jetë dy herë më i madh, shumë herë më i bukur, një pikë referimi ku historia e gjimnazit do të rruhet në të njëjtin truall si trashëgimi shpirtërore. Po ku ngrehina e gjimnazit nuk do jetë rrezik në emër të trashëgimisë kulturore si puna e Teatrit. Shumë shpejt fillon dhe Teatri Kombëtar, në atë truall. Dhe siç përfundon me punët tona, kur të mbyllen do flasin vetë. Derisa të mbyllen do të duhet të flasim më shumë se çduhet, pasi volumi i lehjeve, decibeli i lehjeve janë në rritje të vazhdueshme. S’kemi çbëjmë tjetër vetëm  të vazhdojmë për të ndihmuar të kuptojnë të vërtetat e thjeshta.”- shtoi kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb