TIRANË

Për ekspertin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Ardian Shtuni aktiviteti i organizatave terroriste është i lidhur me organizatat kriminale. Në një lidhe nga Virginia, SHBA, për “Real Story” në News24, eksperti Shtuni ka dhënë detaje për mënyrën se si operojnë grupet terroriste.

Ai deklaroi se është një investim i vazhdueshëm i grupeve të interesit që duan të radikalizojnë rininë në Ballkan dhe duan që të ndjellin një frymë radikale dhe në vendet ku operohet.

“Shteti Islamik një pjesë të mirë të të ardhurave e ka bërë nga kontrabanda. Operonte si shtet i brishtë dhe si organizatë e krimit të organizuar. Ata operojnë pikërisht tek ajo zona gri. Aktivitetet e tyre janë të jashtëligjshëm dhe normalisht financimi i tyre nuk ndodh nëpërmjet bankave por nëpërmjet aktiviteteve të paligjshme. Nuk është e rëndësishme nëse elemente të krimit të organizuar i ndihmojnë organizatat terroriste për qëllime terroriste por e ndihmojnë njëra-tjetrën. Nuk mund ti shohim gjërat në mënyrë naive. Të gjitha organizatat terroriste e kanë një dorë në byrekun e krimit të organizuar. 40 mijë dollarë i kishin marrë për të vrarë një person në Shqipëri. Një pjesë e fondeve do të shkonin për të financuar aktivitetet e tyre terroriste. Duhet të shikohet në thellësi. Sa i përket financimit, kjo gjë ka ndodhur në Ballkan por dhe në diasporën e Ballkanit. Ari Duka në 2011 vrau dy ushtarë amerikanë dhe plagosi disa të tjerë në një aeroport në Gjermani ndërsa po niseshin në Afganistan. Është një investim i vazhdueshëm i grupeve të interesit që duan të radikalizojnë rininë në Ballkan, t’i instrumentalizojnë. Duan që të ndjellin një frymë radikale dhe në vendet ku operohet. Nuk është ideja vetëm për të rekrutuar njerëz që të luftojnë në emër të organizatës, por dhe ta shtrijnë aktivitetin në vendet e Ballkanit, të instrumentalizojnë problemet që janë.
Ka një ndryshim mënyra si funksionon radikalizimi, rekrutimi mes vendeve ku radikalizohen emigrantë të gjeneratës së dytë apo të tretë dhe mënyra si radikalizohet rinia në Ballkan. Në Ballkan rinia nuk është migrante, në një vend të huaj që nuk po integrohet, është në vendin e vet, qoftë në Shqipëri qoftë në Kosovë. Në Maqedoni është një realitet tjetër, mund të ndërfutet dhe elementi i ndasive ndëretnike”, deklaroi Shtuni.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb