Nga: KIÇO BLUSHI*
Siç dihet, 8 dhjetori është shpallur festë kombëtare. Quhet dita e shembjes së diktaturës dhe e rifi llimit të pluralizmit e parlamentarizmit të mohuar. Pas disa ditësh do të mbushen plot 25 vjet, d.m.th. një çerek shekulli që kur politika dhe opinioni publik i patën shpëtuar më në fund morsës së diktaturës: të menduarit dhe të jetuarit me klishe, të gjithë të njëjtësuar, si ushtarë të rreshtuar kazerme.

Në vitet e para ishte një gëzim i papërshkruar të ndiqje nëpër ekrane dhe gazeta se si çlirohej dita-ditës Fjala nga frika e ndëshkimit të pushtetit okult. Në shoqërinë tonë, jo vetëm në atë diktatoriale, po edhe në atë patriarkale, nuk ka pasur gjë më të terrorizuar e të deformuar se Fjala. Fjala e kishte të vështirë të pajtohej me veprimin dinjitoz, me sjelljen humane, me moralin “borgjez”, madje edhe me besën, për të cilën mburremi aq shumë. Ishte e para Fjala e dhunuar, e shtypur, e trembur, e nëpërkëmbur, e masakruar, e tjetërsuar kudo e kurdo: në familje, në kafene, në rrugë, në punë, në media dhe sidomos në propagandë e në politikë. Ndërsa për parlamentarizëm në Kuvend e në media as që bëhej fjalë. Njeriu i trembej më shumë fjalës së vet, sesa qenies së vet.

Nuk gjallon totalitarizmi pa e terrorizuar e dhunuar më së pari Fjalën. Kjo është fuqia e sistemeve autoritare të të gjitha llojeve: të fusin e të mbajnë nën zap Fjalën. Njeriu detyrohej të kishte frikë Fjalën, pasi ajo ka raport të drejtpërdrejtë e jetik me lirinë, si zogu me ajrin, ndaj mund të të shpëtonte pa dashje, duke tradhtuar mendjen dhe gojën. Andaj, pas 8 dhjetorit u quajt e natyrshme që jo vetëm shtypi, po veçanërisht jeta parlamentare të përcillej e të ndiqej nga qytetarët me etje e ngazëllim, si uji i bekuar në shkretëtirë, si një luftë e shenjtë e, pse jo, edhe si ushqim i pazëvendësueshëm. Fjala dhe debatet në Kuvend vlerësoheshin asokohe më shumë edhe se buka e përditshme që mungonte, se dritat që iknin, se mjerimi i dyqaneve bosh, se xhepat e grisur nga fukarallëku… Fjala publike e të zgjedhurve besohej se do t’u jepte kuptimin e dëshiruar e të amshuar lirisë dhe demokracisë së munguar.

Por a është përforcuar, lartësuar, mbrothësuar e shenjtëruar Fjala publike, posaçërisht ajo parlamentare, pas 25 vitesh demokraci? A është rritur besimi i publikut për premtimet, ligjërimet dhe debatet e deputetëve tanë në Kuvend?
Besoj se përshtypja dhe bindja e përgjithshme, pas një çerek shekulli, është se jeta parlamentare është përkeqësuar, vulgarizuar, bathorizuar, zhvlerësuar. Nuk është degraduar nga viti në vit parlamentarizmi vetëm pse në Kuvend kanë mundur të hyjnë disa kriminelë, disa gjysmë analfabetë “të shkolluar” me diploma të blera. Nuk janë këta që bëjnë zallamahi në Kuvend; ata rrinë “urtë”, i binden pa fjalë kryetarit, ata mund të rrihen, ata nuk janë të aftë të flasin e debatojnë nëpër podiume, ata nuk kanë të drejtë të bëjnë marrëveshje e mosmarrëveshje mes partive, nuk janë ata që krijojnë klimën e terrorit verbal në Kuvend , ata shumë-shumë mund të përdoren të yryshojnë kundër armikut të kryetarit të partisë. Janë kryetarët e dy partive të mëdha që qëllimisht e kanë shndërruar Fjalën publike në një armë terrorizonjëse. Jo rastësisht, por qëllimisht, opinioni publik mbahet prej 25 vjetësh nën terrorin e pandërprerë të Fjalës së tyre. Besohet se, duke e përdorur Fjalën si armë mësymëse, do të tremben, poshtërohen dhe thyhen moralisht kundërshtarët, por edhe vartësit, bashkëpunëtorët, aleatët, rrjedhimisht edhe militantët dhe votuesit. E njëkohësisht do të shtohet edhe adhurimi për ata që shfaqen më të fortë (më të pafytyrë) nëpër sulme e mësymje mediatike.

Duke e konsideruar popullin të pakulturuar e primitiv, besohet se kësisoj do të shtohen ndjekësit e verbër, do të mund të ngrihen në revolta dhe revolucion të pakënaqurit, duke i eksituar fillimisht me ulërima, me sharje e shpifje, njëlloj si veprojnë gjuetarët me zagarët apo të fortët e lagjeve periferike me ndjekësit. Por populli nuk është më ai i viteve të para të pluralizmit. Zgjedhësi e ka ndryshuar optikën, tani gjykon ndryshe, më ftohtë e më objektivisht, ndërsa krerët partiakë janë po ata. Komunikimi i tyre me popullin ka mbetur i pandryshuar, kategorik, absolutist, armiqësor, përjashtues dhe mosmarrëveshës, njëlloj si në ditët e para të luftës kundër komunizmit.

Ilustrimi më i freskët i kësaj dukurie, pa asnjë dyshim, janë seancat e fundit të Kuvendeve në të dyja shtetet, si në Shqipëri, edhe në Kosovë. Bombat gazlotsjellëse që hidhen mbi podiumet dhe foltoret e Kuvendeve janë hiçmosgjë para bombave terrorizonjëse, me shpifsharje, me fjalë të ndyra dhe akuza të ndërsjella që deputetët i hedhin mbi njëri-tjetrin me qëllimin e vetëm: terrorizimin dhe më pas manipulimin e opinionit publik, i cili i ndjek nga ekranet jo me adhurim e mirëbesim, si në fillimet e pluralizmit, por me mospërfillje, qesëndi, neveri e, pse jo, edhe me pështirosje.

Po përse ka ndodhur kjo përkeqje e Fjalës publike? Përse opinioni publik shqiptar është bërë kaq mosbesues e mospërfillës ndaj skandaleve të ububushme? Përse protestohet më pak? Përse nuk bëjnë më përshtypje aferat korruptive, shifrat marramendëse për vjedhje e abuzime, të cilat bien në vesh të shurdhër edhe kur thuhet se shkojnë mbi 100 milionë euro? Mos vallë shoqërisë sonë i ka ngordhur nervi i drejtësisë?
***
Është terrorizuar opinioni publik deri në atë shkallë sa e ka humbur besimin te Fjala publike e të zgjedhurve të vet. Edhe më indiferentët tani janë të bindur se “të gjithë këta janë njësoj”, ndaj nuk ia vlen të reagosh… Fjalës publike i është lagur baruti nga pështymat 25-vjeçare të krerëve partiakë, të cilët, pasi e mbulojnë me baltë njëri-tjetrin, shkojnë përherë në drejtimin e duhur: drejt paprekshmërisë, lavdisë, pasurimit dhe pabarazisë.

I bombarduar me gënjeshtra dhe premtime të pambajtura, qytetari shqiptar është bindur se në të vërtetë nuk ka ndonjë dallim qenësor nga refugjatët sirianë dhe irakiane të cilët, jo për faj të tyre, nuk i besojnë askujt, jo vetëm krerëve të tyre politikë dhe fetarë, por madje as shoqërisë dhe as vendit të tyre. Të gjithë këtë përmbysje të thiktë morale e ka kryer më së pari humbja e besimit te Fjala publike. Pas kësaj rropame morale vijnë katastrofat, shemben kombet, shuhen popujt.

Kështu, po të ndiqej me sy të ftohtë debati mbi buxhetin e vitit 2016, mund të kuptoje lehtësisht se seanca-maratonë nuk u përqendrua te detyrimi publik: “Ç’të mira do të sillte ky buxhet dhe ç’mangësi kish, por kush ka vjedhur dhe abuzuar më shumë me pushtetin; kush e krijoi gropën financiare; kush ishte monstër, pervers, vrasës e përdhunues; kush ka dalë në foto me krerët komunistë; kush ‘është bir i etërve’; kush po na e sjell katastrofën; kush është më i ndyrë dhe më i zi se tjetri”… etj., etj.
E gjitha kjo luftë me shakujt e erës nuk bëhet nga padia, por nga mungesa e alternativave, e ideve, e zgjidhjeve dhe punëve të dobishme. Besohet se ky lloj ushqimi i pëlqen “këtij populli pa kulturë demokratike”. Të dy krahëve, si shtinjakëve të djathtë, edhe të ashtuquajturve të majtë, me sa duket u leverdis ta mbajnë opinionin publik të mbërthyer nën këtë trysni absurditeti, ku zgjedhësi nuk ka tjetër zgjidhje e mundësi zgjedhjeje, përveçse të shkojë e të votojë për atë që ngjan më pak i keq se tjetri, d.m.th. për të keqen më të vogël; për atë/ata që gënjejnë më me lezet; për atë/ata që pastrojnë e jo për atë/ata që e dëshirojnë pisllëkun; për atë/ata që kanë vjedhur e kanë bërë më pak zarare e zullume… A nuk kemi hyrë të gjithë në këtë qorrsokak që nuk ka kthim prapa?

Pas këtij bombardimi intensiv me fjalë në erë, shpresohet se mund të motivohet populli punonjës, i mbetur pa punë dhe pa shpresë, se kësaj here do të ngrihet (me sa duket, prej zhvlerësimit të Fjalës, më shumë ka mundësi të mos ngrihet…) sërish në revolucion më 8 dhjetor… Po a është e mundur të bëjë vaki kjo, si 25 vjet më parë, kur, si opozitës, edhe mazhorancës, i është zhvlerësuar në këtë farë feje Fjala?! Kur shkalla e mosbesimit të opinionit publik ka kapur kulmin?!

E si për të na bindur për sa më sipër, si dhe për t’u vënë festen që u takon partive, krerëve të tyre dhe sidomos Kuvendit (që na qenka “bërë halè”, sipas Berishës), ligjërimi kësaj here degradoi deri në atë shkallë, sa nuk u mor vesh se cili nga të dy krerët, Rama apo Berisha, i kishte më shumë se tjetri “pantallonat të lagura”… Ndaj, opinionit tonë publik nuk i ka mbetur gjë tjetër veç të këndojë me oi: “Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë, njërin e kam nip, tjetrin e kam djalë”!
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb