TIRANE– Në përfundim të mbledhjes në Komisionin parlamentar të Sigurisë, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka folur për masat kundër terrorizmit të ndërmarra pas sulmeve të disa ditëve më parë në Paris. Në një deklaratë për mediat, ministri Tahiri tha se në vendin tonë nuk ka vend për panik, pasi situata është normale.

“Shqipëria nuk është vend imun nga rreziku, por të gjitha të dhënat nuk lënë vend për panik. Duhet të evitojmë në maksimum panikun e panevojshëm. Strukturat janë në punë. Po bashkëpunojmë me partnerët. Nuk ka rrezik të shtuar, por vetëm kujdes e vëmendje ashtu si të gjitha vendet partnere. Po vazhdojmë përpjekjet tona për ta bërë vendin më të sigurtë. Këto janë masa të shtuara të Policisë së Shtetit, për të garantuar sigurinë në vend”, tha ministri Tahiri.

Prononcimi i ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri pas seancës dëgjimore të mbajtur me dyer të mbyllura në Komisionin për Sigurisë Kombëtare, lidhur me masat e marra për luftën kundër terrorizmit në Shqipëri:

Sigurisht që Shqipëria nuk është vend imun nga rreziku, por të gjitha të dhënat nuk lenë vend për panik, ndaj do kërkoja që edhe ju që keni rol të veçantë në përcjelljen e opinionit te publiku, të mundoheni të klasifikoni si duhet çështjet e informacionit duke u përpjekur të gjeni balancën e duhur ju, ne, dhe të gjithë bashkë, ndërmjet nevojës për të rritur kujdesin ndaj qytetarëve shqiptarë, nevojës që kemi për të rritur alertin e qytetarët shqiptar, por duke evituar në maksimum panikun e panevojshëm.

Strukturat shtetërore janë në punë, po bashkëpunojnë me partnerët, nuk duket që ka rrezik të shtuar veç rrezikut të zakonshëm që ka çdo vend i qytetëruar në aleancën kundër terrorizmit dhe në këtë kuadër po bashkëpunojmë ngushtësisht edhe me Agjensitë ligjzbatuese në vend dhe me partnerët për të parandaluar dhe për të çuar përpara, sfidën tonë për ta bërë vendin më të sigurtë.

Këto janë masa të shtuara të Policisë së Shtetit dhe ndërkohë çdo institucion në vend nën drejtimin e Prefektit në çdo qark mbi bazën e urdhërit të Kryeministrit dhe një urdhëri pasues të Ministrit të Punëve të Brendshme, kanë marrë masa për forcimin e masave të sigurisë. Këto janë masa parandaluese, pra masat e përkujdesit të lartë, por kjo nuk do të thotë që i përgjigjen çështjeve konkrete dhe unë për hir të së vërtetës nuk jam as i autorizuar të ndaj të gjithë informacionin që kam me ju, sepse është i pamundur.

Në kryeqytetet e tjera keni parë që edhe ushtria është në rrugë ndërkohë në Shqipëri është element shtesë i sigurisë, më shumë siguri për qytetarët prezenca e policisë dhe forcave të sigurisë ashtu siç duhet që dhe qytetarët të konsiderojnë se çdo shqetësim e ndajmë bashkë dhe çdo sfidë e ndajmë bashkë dhe zgjidhjet i kemi po të gjithë bashkë.

Faleminderit!

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb