TIRANË

Teksa minutat kalojnë të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me arrestimin e dy personave në Tiranë. Gazetarja e “BalkanWeb”, Dorjana Bezat raporton se të arrestuarit janë të përfshirë edhe në tre raste të tjera gjobëvënieje në Tiranë. Policia dhe grupi hetimor po punon intensivisht për dokumentimin e plotë të të gjithë veprimtarisë së paligjshme të kryer nga tre pjesëtarët e grupit, tashmë i goditur nga efektivët e kryeqytetit.

Gjithashtu “BalkanWeb” mëson se koka e grupit të gjobëvënësve është identifikuar shtetasi Edmond Gecaj rreth 30 vjeç. Ky person nuk është emër i panjohur për Policinë e Shtetit, pasi në marsin e vitit 2016, ai së bashku me shtetasin e idetifikuar me iniciale S.M tentuan të vrasin me thikë presidentin e klubit të Korabit, shtetasin Fehmi Mëziu, por ndërhyrja në kohë e Policisë shmangi ngjarjen e rëndë.

Ngjarja në mars të 2016:

Ngjarja e rëndë u parandalua nga patrullat e policisë së Komisariatit numër 1. Policia ka arrestuar shtetasin Edmond Gecaj 27-vjeç dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin tjetër me inicialet S.M pasi këta dy persona kanë tentuar të vrasin me thikë shtetasin Femi Mëziu 44- vjeç.
Ngjarja ka ndodhur mbremjen e së enjtes në rrugën ‘Hoxha Tahsim’.

Policia ka mundur të neutralizojë njërin prej autorëve dhe ka sekuestruar thikën. Shkak i konflikt mes palëve ka qenë një shumë e madhe borxhi të cilën Mëziu u kishte marrë personave. Burimet në atë kohe pranë Policisë Tiranë pohuan për “BalkanWeb’ se Mëziu ka pranuar se u ka marrë personave 20 mijë euro, ndërsa Gecaj pretendon se borxhi kishte vlerën e 50 mijë eurove.
Në polici Mziu ka thënë se këto para do të përdoreshin si investim në klubin e futbollit që ai drejton. Për shkak të dëshmive kontradiktore policia dyshon se këto para janë përdorur për aktivitete të paligjshme.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb