TIRANE- Ermal Kadilli, 36-vjeçari që të dielën e 28 gushtit qëlloi me armë në ajër pranë një restoranti në zonën e Mulletit, do të qëndrojë në burg, vendim ky i gjykatës së Tiranës. Kadilli akuzohet për “Armëmbajtje pa leje”, “Prishje të qetësisë publike” dhe “Kundërshtim të forcave të policisë”, pasi nuk i ndaloi një postblloku të policisë edhe pse u ndoq për disa minuta nga uniformat blu.

Gjatë seancës bëhet me dije se Kadilli ka pranuar se ka qëlluar disa herë me pistoletë në ajër, duke u justifikuar se në momentin që ka dalë nga ambientet e restorantit, ka qenë nën efektin e alkoolit dhe se nuk ka pasur konflikte me asnjë person në zonën e Mulletit.

“Qëllova me armë nën efektin e alkoolit. Nuk pata konflikt me asnjë person as në lokal dhe as përgjatë
rrugës”, mësohet të kenë pohuar personi nën hetim. Ndërkohë prokuroria është në fazën e marrjes së dëshmive nga persona që kanë qenë prezentë dhe ka kërkuar sekuestrimin e kamerave të sigurisë, për
të zbardhur dinamikën e ngjarjes dhe rolin e secilit person. 36-vjeçari u arrestua së bashku me dy shokët e tij, Dritan Masha, dhe Dritan Ago, në “Rrugën e Elbasanit”. Ata u kapën nga patrulla e dytë e policisë pasi nuk i kanë qëndruar patrullës policore te rrotullimi i TEG-ut. Në momentin e ndalimit, ata kanë kundërshtuar uniformat blu dhe menjëherë njëri prej tyre ka hedhur në rrugë armën e zjarrit, pistoletë tip “TT”. Nga hetimet paraprake të policisë, dyshohet se arma i përkiste Ermal Kadillit, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Ndërkaq, dy shokët e tij u lanë të lirë po atë ditë nga forcat policore.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: