Miqësorja e djeshme tregoi sinjale pozitive për një skuadër si Shqipëria, e cila gjithsesi ka ende shumë punë për të bërë. E them këtë sepse Austria, në gjykimin tim, është një ekip i dorës së parë. Nuk është emër i madh, por një skuadër shumë efikase dhe në këtë moment mendoj se është më lart edhe se Zvicra me Rumaninë. Pësuam dy gola të shpejtë edhe për fajin tonë, por kjo ndodhi sepse Austria është një skuadër e shpejtë atletikisht, por edhe në mendim. Nuk kanë qenë rastësisht në 4- 5 vitet e fundit në nivele shumë të larta.

Pjesa e parë
Shumëkush mund ta dramatizojë pjesën e parë, por unë nuk mendoj se ishte keq. Zotërimi i topit ishte 57 me 43 për qind në favor të tyre, gjuajtjet në kuadrat 4-1 për ata, ndërsa gjuajtjet jashtë 5-2 për ne… Nuk duhet të influencohemi vetëm nga dy golat e shpejtë që pësuam, sepse në fakt ata erdhën për shkak të gabimeve individuale, sesa për një vendosje të keqe të skuadrës. Natyrisht, ishte një mësim i mirë për të gjithë se vigjilenca duhet të jetë maksimale që nga minuta e parë deri tek e fundit. Shqipëria duhet ta kishte mësuar tashmë këtë leksion. Patëm probleme me organizmin sepse presingu i vendësve ishte asfiksues në start.

Ata bën presion shumë lart dhe ndoshta kjo i kapi të papërgatitur lojtarët dhe stafin tonë. Krahu i djathtë Kjo po që është një çështje që De Biazi duhet ta zgjidhë. Nuk po them se po të ishte Roshi në vend të Lilës nuk do t’i kishim pësuar dy golat, por duhet parë nëse ajo vendosje e pjesës së parë është strategji, apo eksperiment. Gjatë ndeshjeve kualifikuese kemi parë shpesh që Shqipëria të përdorë mbrojtës të djathtë në vend të mesfushorit, por sa herë që ka luajtur me mesfushor, Roshi, apo kushdo tjetër, ka qenë më efikase. Gjithsesi, duhet parë, pasi çdo ndeshje ka specifikën e saj. Nëse vendos që Roshin duhet ta përdorësh si gur rezervë për të ndryshuar diçka në pjesën e dytë, atëherë duhet rregulluar që në start krahu i djathtë.

Pjesa e dytë
U rikthye formacioni klasik… Roshi në të djathtë dhe Cikalleshi në qendër të sulmit i japin më tepër shpejtësi skuadrës dhe më shumë elasticitet. Por, mos harroni, kjo ndodhi edhe sepse Austria nuk po bënte më të njëjtin presing që në fillim. Ishte e pamundur ta bënte, edhe ata nuk janë alienë… E megjithatë ndërrimet u bënë kur duhet dhe si duhet, sepse dhanë menjëherë efekt. Ndoshta Kaçe nuk duhej lënë aq gjatë derisa të merrte të kuqin. Qartazi e humbi freskinë pas minutës së 75-të, por me sa kuptova De Biazi po e projekton atë si lojtarin pas sulmuesit, pra ai që do të japë pasin final. Ndoshta ia del, ka talent, është i fortë, por duhet të veprojë shpejt dhe thjesht…

“Përfitimi”
Ka edhe humbje ku mund të përfitohet diçka dhe unë mendoj se Shqipëria mori sinjale pozitive. I pari ishte që skuadra reagoi, sepse zakonisht kemi treguar se kur pë- sojmë një gol gati mpihemi e jo më dy gola dhe brenda një kohe aq të shkurtër. Skuadra reagon, edhe pse në pjesën e parë pati fat se mund të shkonte rezultati edhe më shumë se 2-0.

Por ishte Austria.E theksoj shpesh sepse ata janë një ekip i shkëlqyer në të gjithë repartet, ndërsa ne jemi të fortë vetëm kur nuk bëjmë asnjë gabim. E megjithatë pashë Xhakën që është i padiskutueshëm në mesfushë, së bashku me Abrashin.

Cikalleshi në majën e sulmit është bindës, por duhet rregulluar krahu i djathtë dhe duhet parë nëse Kaçe do të dijë të marrë frenat e mesfushës në dorë. Formacioni titullar kishte pak frymëmarrje, edhe sepse në mesfushë topi qarkullon ngadalë dhe ende nuk e kemi një lojtar që të paktën ta zotërojë sferën për dy sekonda, aq sa mund të spostohet skuadra para. Me Roshin bëhemi më të shpejtë, por ndoshta do rregulluar diçka nga qendra. Lenjani ishte në formë të shkëlqyer, por ndonjëherë është fragmentar. E megjithatë, në 90 minutat totale ishte një test i mirë, sepse edhe nëse humbëm, ishte thjesht një miqësore me një kundërshtar më cilësor./panoramsport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: