Gjykata Kushtetuese nisi këtë të martë shqyrtimin e padisë të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, i cili kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me aktin themeltar të shtetit të dy neneve që lidhen me testin e poligrafit dhe testin psikologjik ndaj punonjësve të policisë.

Në seancë përfaqësuesja e autorizuar e Kuvendit, Mimoza Arbi tha se punonjësit e policisë i nënshtrohen testit psikologjik, për të parë sesi ata reagojnë ndaj situatave të ndryshme në punën e tyre të përditshme.

Arbi këmbënguli se parashikimi ligjor ishte në përputhje me kushtetutën, porse nuk mundi t’i përgjigjej gjykatës kur e pyeti se përse të njëjtit test nuk i nënshtrohen ligjvënësit përpara se të marrin detyrën. “Këtë pyetje mund tua bëni atyre”, tha përfaqësuesja e Kuvendit.

Në lidhje me testin e poligrafit që i nënshtrohen të gjithë kandidatët që tentojnë të bëhen pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Arbi deklaroi se në këtë mënyrë garantohet besueshmëria e tyre.

Pas kësaj, gjykata e pyeti përfaqësuesin e Kuvendit që nëse do të aplikonte në strukturat e SPAK a do t’i nënshtrohej testit të makinës së të vërtetës?
“Nëse flas si individ i kam të theksuar pjesën emocionale, e për këtë shkak nuk do të konkurroja fare”, u përgjigj ajo.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit vijon të jetë i mendimit se të dyja nenet bien ndesh me Kushtetutën dhe janë diskriminues. Në seancë ishte i pranishëm edhe kreu i SPAK, Arben Kraja, i cili i ka dorëzuar me shkrim pretendimet e tij në raport me këto çështje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb