TIRANË

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili shprehet skeptik për Komitetin e Ekspertëve të Pandemisë së COVID-19.

Në një postim në “Facebook”, Vasili analizon gjatë shfaqjen e tyre dhe ngre pikëpyetje për deklaratat, ndërsa shkruan se kur qeveria nuk siguron teste të bollshme, Komiteti s’mundet kurrsesi të krijojë alibi antishkencore e të justifikojë që sikur edhe kaq fare pak sa bëhen qenkan të mjaftueshme.

POSTIMI I PLOTË I VASILIT
Pasiguria e “sigurtë” e Komitetit të Ekspertëve të Pandemisë!
Sot Komiteti i Ekspertëve i grumbulluar me rastin e Pandemisë së COVID-19 u shfaq me të parën deklaratë pas javësh të tëra që Pandemia është kryefjala e vendit.
Ende misterioz, pasi këtij Komiteti nuk i njihet as përbërja dhe as kush e drejton, ai paraqiti njëherazi siguri fatkeqësisht politike dhe pasiguri të dukshme të karakterit shkencor.

Është sigurisht një kurajo tej çdo arsyeje, kapaciteti e mundësie shkencore ajo e marrjes së një vendimi asimetrik ose thënë troç kundër linjës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë që imponon testim, testim, testim.

A është e mundur për Shqipërinë të adaptojë një strategji tërësisht të vetën, origjinale dhe të ndryshme nga OBSH me këto kapacitete tekniko-shkencore që ka?
Përgjigja është qartësisht jo.
Aq më pak kjo Strategji “origjinale” mund të jetë e sigurt dhe realiste, në prani të varfërisë së të dhënave, pasi është e qartë për këdo, që numri i të dhënave është jashtëzakonisht i kufizuar dhe i pakët.
Kësisoj Strategjia “origjinale” shndërrohet thjesht në një amalgamë hamendjesh me një bazë shumë të varfër shkencore.
Epidemiologjia është shkencë e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me numrat e shifrat, jashtë të cilave ajo shndërrohet në një qasje empirike, që është e kundërta e shkencës. Në një pandemi mjaft atipike si kjo, arsyetimet dhe parashikimet pak a shumë të sigurta mund të ndërtohen vetëm bazuar mbi shifra të bollshme e kuptimplotë.

Edhe kur këto shifra janë të bollshme, procesi i analizës së tyre në një Pandemi të tillë atipike është mjaft i komplikuar, kurse në mungesë të tyre, siç paraqitet situata e tyre në Shqipëri, kjo analizë bëhet e pamundur.
Komiteti i Ekspertëve nuk mund të shndërrohet në rrobaqepësin e kostumit pseudoshkencor për të justifikuar karencat e mëdha të qeverisë në veprime, në sigurimin e logjistikës etj etj.
Thënë copë, kur qeveria nuk siguron teste të bollshme, Komiteti s’mundet kurrsesi të krijojë alibi antishkencore e të justifikojë që sikur edhe kaq fare pak sa bëhen qenkan të mjaftueshme.

Apo kur në mungesë të maskave mbrojtëse ekspertët të shfaqeshin në mënyrë kontradiktore duke thënë herë që ka vlerë përdorimi i tyre e herë jo, apo më keq akoma të mbyllnin sytë përpara përdorimit të maskave të skaduara.
Komiteti nuk është shfaqur asnjëherë publikisht ku të tregonte arsyet teknike të ndryshimit të regjimit të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve ashtu siç komitetet shkencore kanë bërë anë e mbanë botës.

Komiteti nuk u shfaq asnjë herë lidhur me qëndrimin e tij për protokollet e reja, që do duhen adaptuar për trajtimin e pandemisë.
Shfaqja e Komitetit si apendiks i politikës dhe dhënia e sigurive, që kërkush nuk ka guxuar t’i japë nëpër Europë dhe botë, e komprometon për fat të keq rolin e tij.
Pikërisht sot kur OBSH apelon sërish për shtrëngimin e kufizimeve, Komiteti flet për uljen e kufizimeve pa dhënë asnjë arsye të besueshme shkencore për këtë.
Komiteti ka një kurajo vërtet të frikshme kur duartroket strategjinë dhe nxjerr bile konkluzione për suksesin e përballimit të pandemisë.
Trefishimi i rasteve të reja brenda 24 orëve nga 6 raste në 17 raste duhet të ishte një moment reflektimi dhe jo një moment për të dhënë konsiderata politike nga ana e Komitetit, që errëson kësisoj edhe pjesën pozitive të punës së tij.

Modestia e të gjithë opinionit shkencor botëror për të mos dhënë konkluzione ndërkohë që pandemia përparon kontraston fort me kurajën qesharake të Komitetit për të vetëvlerësuar e vetëduartrokitur veten.
Ndaj sugjerimi dashamirës për Komitetin është që ai të shfaqet vazhdimisht, të ndajë ai vetë vlerësimet me publikun dhe pyetjet e këtij të fundit, të jetë transparent dhe të mos jetë i varur nga hallet e kryeministrit, i cili i përdor e i shpërdor ata.
Vetëm Integriteti shkencor dhe vetëpërmbajtja mund të prodhojë siguri për qytetarët e kundërta prodhon pasiguri dhe rreziqe të shtuara për ta.

 

  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb