TIRANË- Disa rrjete sociale kanë publikuar një test matematike duke pretenduar se është testi origjinal i provimit të Matematikës që zhvillohet sot për maturantët. Provimi i Matematikës nisi sot në orën 10:00 dhe në testin e publikuar iu jepen zgjidhje të gjitha pyetjeve. Në total janë 25 pyetje, 13 me zgjedhje dhe 12 me zhvillim.

Ndërkohë, vetë maturantet pohuan se nuk ka qenë ky test ai që u ka qëlluar në provimin e sotëm. Nga ana tjetër, maturantët pohuan se para orës 11:50 doli varianti B i tezës, i cili u kishte qëlluar atyre në provimin e sotëm. Po ashtu, burime nga Ministria e Arsimit pohuan se nuk behet fjalë për këtë test.

NIKOLLA: JA E VËRTETA E TESTIT TË PUBLIKUAR NGA BERISHA. TURP KOMBËTAR
Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla me anë të një statusi në rrjetin social ‘Facebook’, ku ka publikuar dhe testin e provimit të sotëm të Matematikës. Nikolla e ka cilësuar një turp kombëtar mesazhin e ish-kryeministrit Sali Berisha. “E vërteta e testit të publikuar nga Sali Berisha. Një ish-kryeministër që gënjen publikisht. Po. Ky është turp kombëtar! Bashkëlidhur prova për këtë:”, citohet në mesazhin e Nikollës.

MALAJ PER NEWS 24: NUK KA PASUR RRJEDHJE INFORMACIONI, LAJMI PER TEZEN NUK ESHTE I VERTETE
Ndërkohë, zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj në një lidhje telefonike për ‘News24’ hodhi poshtë të gjitha pretendimet në lidhje me qarkullimin në rrjetet sociale të tezës së provimit të Matematikës. Malaj thekoi se në asnjë moment nuk ka pasur rrjedhe informacioni nga ana e Ministrisë së Arsimit, ndërsa pohoi se ky ka qenë ndër provimet më të mira në historinë e Maturës Shtetërore.

Në rast të parë dua të falënderoj maturantët, se kanë bërë një provim të mirë. Dje nga ora 10:45 webi Lolita nxori një lajm ku pohonte se u zbulua skandal. Ky nuk ishte i vërtet, ndërsa u krijua një situatë e vështirë. MAS ka marrë me seriozitet këtë proces. Procesi i Maturës Shtetërore nisi në 10:00, deri në 12:30, përfunduan të gjitha provimet. Nuk kemi pasur asnjë rrjedhje informacione. Ka pasur informacioneve të ndryshme. Nuk na rezulton rrjedhje të informacionit. Rrjete të ndryshme sociale që kanë marrë si mision që të krijojnë tension, do t’ju them se ky proces e ky provim ishte një nga provimet më të mira të organizuara. Matura Shtetërore nuk i përket veç MAS, por edhe mbarë vendit. Dua t’ju bëj me dije të gjithë atë që menaxhojnë rrjetet sociale; mos luani me shqiptarët” tha Malaj.

PRETENDIMET
Për këtë fakt ka reaguar në profilin e tij në Facebook edhe ish-kryeministri Berisha duke e cilësuar “një turp kombëtar”. “Horrat e shtetit nxjerrin në treg, një ditë përpara, testin e Matematikës si kurrë ndonjëherë në historinë e këtij shteti”, shkruan Sali Berisha, duke publikuar fotot e testit të provimit.

Autenticiteti i këtij testi mbetet për t’u vërtetuar vetëm pasi të mbarojë sot provimi i Matematikës. Disa ditë më parë doli online para përfundimit të provimit testi i Letërsisë, fakt që u pranua nga ministria e Arsimit dhe u paralajmërua kallëzim penal.
(ma.ar/ed.me/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: