Nga ERMELINDA HOXHAJ*

TIRANE – Testimi i mësuesve që janë në sistemin parauniversitar publik është konsideruar shkelje ligjore nga sindikalistët që mbrojnë interesat e mësuesve përpara Komisionit Parlamentar të Medias dhe Arsimit. Sindikalistët janë shprehur se ligji i vitit 2012 për arsimin parauniversitar nuk e parashikon një formë të tillë testimi, ndonëse nuk janë kundër kualifikimeve të vazhdueshme të arsimtarëve. Gjatë debatit në Komisionin e Medias, kryetari i Federatës së Arsimit, Xhafer Dobrushi pretendon se testimi jo vetëm që nuk është forma reale për të pasqyruar gjendjen reale të mësuesve, por hedh poshtë edhe provimin e shtetit. Po ashtu, gjatë dëgjesës së djeshme në Komisionin e Medias, kryetari i Federatës së Arsimit, Dobrushi bëri të ditur se Ministria e Arsimit ka vendosur që të mos përfshijë në testimin e ardhshëm mësuesit me përvojë mbi 20-vjeçare, ndonëse kërkesa e tij është që ky testim të mos bëhet për asnjë mësues, pavarësisht nga vitet e punës. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka parashikuar testimin e 35 mijë arsimtarëve që janë aktualisht në sistem.

Testimi dhe Debatet

Seanca e djeshme dëgjimore në lidhje me testimin e arsimit nuk është ndalur vetëm në provimin që do të zhvillohet në maj, por edhe në testimin që u bë në muajin dhjetor. Ky testim, sipas sindikalistit Xhafer Dobrushi, në një formë anuloi provimin e shtetit. Kjo pikë hasi në debate mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës. “Testimi i dhjetorit anulonte provimin e shtetit, i cili është detyrim për të hyrë në punë. Dhe kjo është antiligjore, pasi u shmangën procedurat ligjore që parashikon ligji, duke qenë se nga mësuesit që janë shpallur fitues ka edhe kandidatë që nuk kanë dhënë provimin e shtetit”, – tha kreu i sindikatës, Dobrushi. Kryetari i Komisionit të Edukimit, Genc Pollo, i drejtori një pyetje Dobrushit: “Çfarë faktesh keni ju për këtë gjë; ju rezulton se testimi i bërë në dhjetor e anulon provimin e shtetit, apo thjesht është injoruar? Pasi provimi i shtetit është detyrim ligjor për të fituar të drejtën e një vendi pune për profesionet e rregulluara”. “Duke qenë se ata kanë hyrë në provim dhe janë shpallur fitues, kanë fituar të drejtën juridike të hyjnë në punë pa marrë provimin e shtetit. Kjo është antiligjore, pasi u shmangën procedurat që parashikon ligji për punësimin e mësuesve. Ka nga ata mësues që kanë filluar punë por që nuk kanë marrë provimin e shtetit”, – sqaroi Dobrushi. Ndërkohë, deputeti i mazhorancës, Alfred Peza, ndërhyri duke thënë se: “Nuk duhet të abuzojmë me ato që themi, duhet të jemi seriozë. Testimi që u bë në dhjetor krijoi një data-bazë që u jep mundësinë, atyre që kanë fituar dhe janë në renditje sipas pikëve, të zënë një vend pune në arsim. Ai që është i pari, i majtë po i djathtë, pa pasur nevojë për korrupsion, ka të drejtën të hyjë në atë vend pune që hapet në profilin e tij”.

Në seancën e djeshme dëgjimore në Komisionin e Medias, përfaqësuesit e sindikatave thanë se, edhe testimi i radhës, që do të zhvillohet në muajin maj nga Ministria e Arsimit, jo vetëm që bie ndesh, por nuk është zgjidhje e situatës për një arsim cilësor. Xhafer Dobrushi, kryetar i Federatës së Sindikatave të Arsimit, tha se: “Ligji i vitit 2012 parashikon që punësimi bëhet sipas këtyre kritereve: kandidatët regjistrohen, bëjnë praktikën dhe japin provimin e shtetit. Ata që kanë fituar testin s’kanë marrë provimin e shtetit dhe kjo është antiligjore”. Ndërsa Nevruz Kaptelli, nga sindikata e pavarur, tha se: “Në asnjë vend të rajonit nuk bëhet ky testim; në Gjermani futesh vetëm në testim gjuhe”. Por këto pretendime të sindikatave u kundërshtuan nga deputetët e mazhorancës. Luçiano Boçi tha se ky testim po bëhet për të bërë emërime klienteliste. Ndërsa deputetja e PS-së, Shamku iu kthye duke thënë se: “Ju dëgjova, jo pa neveri, do ju kisha dëgjuar me vëmendje, nëse nuk do përfaqësoni një qark, në të cilin, drejtori që ju vendosët ishte një drejtor Doganash pa shkollën përkatëse, dhe nga drejtuesit e shkollave që ai emëroi, 6 ishin me diplomë gjimnazi. Ky test ka për qëllim të shikojë se çfarë ka brenda kutisë, pra se çfarë ka në brendinë e mësuesve, pasi ka me dhjetëra raste që mësues të një profili jepnin një lëndë tjetër. Duhet të shikohet formimi i tyre, pasi arsimojnë fëmijët tanë”.

Ndërsa ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj tha se në vitin 2005, në arsim kishte mbi 13 mijë mësues me arsim të mesëm, ndërsa në vitin 2013 ishin 5500. Më tej ai sqaroi se ligji ka mekanizma për të parë përbërjen dhe kualifikimin e mësuesve. “Në vitin 2004-2005, në arsim kishte 13.600 mësues me arsim të mesëm, ndërsa në vitin në vitin 2012-2013 ishin 5500 mësues me arsim të mesëm. Kjo gjë tregon se ligji i ka të gjitha mekanizmat për të parë përbërjen e mësuesve; janë mekanizmat për të ditur se çfarë i mungon mësuesit”, – tha Tafaj. Edhe sot, në Komisionin e Arsimit do të ketë diskutime për testimin e mësuesve, pasi në seancë dëgjimore do të jetë ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: