Emisioni ‘’Real Story’’ i Sokol Ballës në News24 ka filluar me një debat për numrin e testimeve për COVID-19 në Shqipëri dhe se sa ato tregojnë realitetin.

Mjekja Liljana Ramasaço e cila është njëkohësisht dhe eksperte e PD për Shëndetësinë deklaroi se qeveria ka gabuar me strategjinë e ndjekur për testimet, pasi me 2 mijë të tilla në ditë s’mund të tregohet realiteti.

Sipas saj testimet nuk janë kryer që në fillim si duhet, ku duhet dhe kur duhet.

‘’Atëhere po flasim për një testim i cili që në fillimet e tij ka qenë jo testim ashtu si duhet, dhe aty ku duhet. Jo me numrat e duhur.

Me testime gjykon se si i ke evidencat. Në funksion të masave që qeveria shqiptare ka marrë për këto numra të infektuarish gjatë kësaj periudhe. Nëse flasim se këto numra janë dhejtëfish më të larta, s’mund të themi që me 2 mijë teste në ditë, ndërkohë gjysmat prej tyre bëhen në privat, bëhen me kosto të qytetarëve. S’mund të flasim për realitet. ‘’- tha ekspertja e PD.

 

Nga ana tjetër ish-ministri i Shëndetësisë, Gjergji Koja ka theksuar se OBSH nuk ka asnjë udhëzim zyrtar për testimet, por vetëm rekomandim. Për Kojën Ministria e Shëndetësisë i ka qëndruar rekomandimit të OBSH për të paktën një testim për banor në javë, ndërkohë që në Shqipëri mesatarja varion nga 5.8 në 6.92 më e larta.

Sipas tij debati politik për testimet është siç e ka theksuar edhe më parë ‘’lojë kungulleshkash’’, pasi për Kojën opozita e sheh pandeminë si sport për të fituar vota dhe lutet çdo ditë që spitalet të shkojnë në kolaps.

”Më lejo që së pari të rikap argumentin aty ku u la. Po argumentohet tek të hospitalizuarit. Para 2-3 ditësh kam botuar një status pa dashur ta politizoj. Opozita po e trajton covid si sport, për të marrë vota.

Nëse në 30 korrik të këtij viti testimet ishin 470, dhe muaj pas muaji u arrit në 1 mijë, opozita thoshte 1 mijë e 500, kur bënte 1 mijë e 500 opozita donte 2 mijë. Tani opozita thotë keni futur dhe privatin.

Kur arritëm në 2 mijë e 200, opozita e ndryshoi. Është lojë kungulleshke. U referua që parë sepse jemi përballur me një virozë, aq tinzar as ka kapur të papërgatitur botën dhe OBSH. S’ka udhëzues, vetëm rekomandim për testimet. Ta mbajnë mirë vëth në vesh, është të paktën një testim për një banor në javë. MSH ka mbajtur 5.8 tani e kemi 6.92. Kemi hyrë në dimër të vështirë, ndoshta më i vështiri i 30 apo 50 viteve të fundit. Në këto kushte, në të paktën 3 muajt, kemi rritje të rasteve jo vetëm tek ne, por gjithë botën. Të mbahen parasysh disa indikatorë, nuk e di pse opozita lutet çdo ditë për të hyrë spitalet në kolaps. Kemi hyrë në një dimër të vështirë, pa maska, pa solidaritet, pa distancë harrojeni se mund të kalohet. S’mund të përballohet pandemia me spitalet. Ne kemi rreth 470 të hospitalizuar, pra jemi brenda. S’mund të hapësh brenda natës një spital covid, pasi do infrastrukturë, trajnim të stafit etj.

Kauza e opozitës për mungesën e trajtimit në spitalet apo keqtrajtimit ka rënë. Në spitalet tona nuk mungon asgjë sa i përket protokolleve të trajtimit. Kanë shkuar në Itali e Turqi dhe e kemi parë.”- tha Koja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb