NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Fillimin e javës që vjen, në datat 10-11 nëntor, 1857 mësues në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të Tiranës do t’i nënshtrohen një testimi, i cili do të pasqyrojë nevojat që ata kanë për t’u kualifikuar. Në total në Drejtorinë Arsimore Rajonale të Tiranës janë 3300 mësues, por përjashtohen 1443 arsimtarë sepse kanë mbi 20 vite eksperiencë pune dhe kanë marrë kategorinë e I, “Mësues Mjeshtër”. Kjo gjë është përcaktuar edhe në shkresën që ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, i ka nisur në fillim të kësaj jave DAR Tiranë, ku veç përjashtimit të mësuesve me 20 vite eksperiencë pune, janë caktuar dhe datat e testimit, apo instrumenti siç e quajnë ndryshe.

Mësuesit testimin do ta bëjnë në grupe të vogla me maksimumi 20 mësues, pasi ai do të zhvillohet online, në 6 qendra vlerësimi dhe në total do të ketë 30 pyetje me alternativa. Qendra e vlerësimit janë shkollat pilot të klasave inteligjente me tableta si gjimnazi “Partizani”, “Ismail Qemali”, “Petro Nini”, “Sami Frashëri”, “A.Z.Çajupi”, “Sinan Tafaj”.

FUSHAT E TESTIMIT
Në udhëzimin nr.42 për “Vlerësimin e nevojave për kualifikim të mësuesve” në nenin 14 të tij përcaktohet struktura e provimit, i cili përmbledh disa fusha, të cilat kanë të bëjnë me formimin e përgjithshëm të mësuesit. Këto katër fusha do të orientojnë hartimin dhe strukturën e instrumentit dhe janë Planifikimi, Mësimdhënia dhe të nxënit, Etika dhe komunikimi, Zhvillimi profesional. Secila prej këtyre fushave ka disa çështje, të cilat kanë lidhje me formimin e mësuesit. Dhe në bazë të testit të instrumentit do të shikohen nevojat për kualifikim për secilin prej mësuesve. Instrumenti përmban 30 kërkesa me alternative.

Kërkesat e instrumentit fokusohen kryesisht në situatë nga konteksti real i shkollës, pavarësisht profilit apo ciklit ku mësuesi jep mësim. Instrumenti zhvillohet për 60 minuta në formë dixhitale”, përcaktohet në nenin 14 të udhëzimit të MAS. Në përfundim të pyetësorit mësuesi njihet menjëherë me përgjigjet e instrumentit që ka plotësuar. Në varësi të rezultateve të testit, për secilin mësues përcaktohen fushat ku ai ka nevojë për zhvillim profesional. Dhe në nenin 17 të udhëzimit përcaktohet se, “Dokumenti i krijuar gjatë zbatimit të procedurave të përcaktuara në këtë udhëzim ruhet në institucionet përkatëse për një vit dhe janë objekt monitorimi”.

Ky nen është një siguri për mësuesit se arritjet e tyre në këtë instrument janë vetëm për objekt studimi. Kjo gjë është artikuluar edhe nga ministrja Lindita Nikolla, sipas së cilës ky proces nuk do të nxjerrë asnjë mësues nga sistemi, por do t’i japë fund informalitetit të procedurave për trajnimin e mësuesve.

“Nuk rrezikohet puna e asnjë mësuesi. Do orientohet trajnimi i secilit mësues sipas pikëve që do marrin në këtë testim”, ka theksuar Nikolla. Po ashtu, ajo ka bërë të ditur se pjesë e vlerësimit do të jenë edhe drejtuesit e shkollave, përjashtim bëjnë vetëm ata që janë me 20 vite eksperiencë pune. “Do futen të gjithë mësuesit dhe drejtuesit e shkollave, me përjashtim të atyre që kanë 20 vite pune. Drejtuesit e shkollave pavarësisht pozicionit të punës, në radhë të parë janë mësues, ndaj do jenë pjesë këtij instrumenti vlerësimi”, sqaroi ministrja e Arsimit, Nikolla.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: