Nga ERMELINDA HOXHAJ*

TIRANE – Testimi i mësuesve që u bë në muajin dhjetor hodhi dritë mbi aftësitë e arsimtarëve që kërkojnë një vend pune, ku dhe rezultoi se janë shumë dobët. Sipas rezultateve të testimit, 60% e tyre ngelën. Në total morën pjesë në testim 5271 mësues në 25 profile dhe vetëm 2082 prej tyre ose vetëm 40% morën vlerësim pozitiv.

Këto të dhëna janë bërë publike ditën e djeshme nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, në Shkodër ku dhe u prezantua sistemim i kandidatëve fitues të testimit kombëtar “Mësues për Shqipërinë”, sipas vendeve vakante. Numri i vendeve vakante i shpallur nga MAS është 2281 dhe tashmë me rezultatet e testimit i bie që 199 vende të mbeten sërish të lira, pasi provimin e kanë marrë më pak mësues se sa numri i vendeve vakante. Sipas ministres Nikolla, sistemimi i ri i punësimit në arsim është kthesa e madhe në luftën kundër korrupsionit. Po ashtu, sipas saj ky testim kombëtar do të zhvillohet çdo vit. Kandidati që ka pikët maksimale do të bëjë përzgjedhjen mes vendeve vakante për profilin përkatës dhe kështu me radhë sipas rezultateve deri sa të plotësohen vendet e lira. Këta mësues do të jenë të komanduar dhe më pas komisioni i shkollës përkatëse do të përcaktojë nëse do punësohet përfundimisht apo jo.

Rezultatet
Në portalin “Mësues për Shqipërinë” u regjistruan në total 8100 kandidatë, por pas verifikimeve dhe dorëzimit të dokumenteve që duheshin në përfundim në testim hynë shumë më pak, 5271 mësues. Prej këtyre, 3189 mësues ose 60% ngelën, ndërkohë që kaluan vetëm 2082 mësues ose 40% e mësuesve pjesëmarrës në provim.
Gjatë prezantimit të rezultateve ditën e djeshme, ministrja Lindita Nikolla sqaroi se kandidatët që nuk fituan do të kenë mundësi të hynë në testimin e tjetër, pasi ky testim kombëtar do të zhvillohet çdo vit. “Ky provim do të zhvillohet çdo vit dhe ata kandidatë që nuk kanë marrë rezultate pozitive kanë mundësinë që të hynë sërish në provim vitin tjetër”, – tha Nikolla. Sipas saj, sistemi i ri i punësimit në arsim po bëhet duke u bazuar në tri shtylla kryesore, meritë, transparencë dhe konkurrencë. “Fillon sot sistemimi i mësuesve fitues të dalë nga provimi kombëtar sipas vendeve vakante. Sistemimi i ri i punësimeve bazohet në meritë, transparencë dhe konkurrencë. Njëkohësisht është dhe kthesa e madhe në luftën kundër korrupsionit”, – sqaroi ministrja Nikolla. Sipas saj, rezultatet më të mira janë arritur në Tiranë qytet, qarkun e Fierit dhe të Lezhës, më dobët kanë dalë qarku i Elbasanit, Gjirokastrës dhe Tirana Qark. Nga të dhënat tregojnë se në Tiranë qytet, ku ka qenë dhe numri më i lartë i pjesëmarrësve, pasi në provim hynë 1089 kandidatë, fitues janë vetëm 494, pra 47% e tyre. Ndërsa në Shkodër fitues janë vetëm 116 mësues nga 303 që hynë në provim dhe në përqindje janë 38.5. Në qarkun e Durrësit morën pjesë në testim 314 mësues, fitues janë 137 të cilët përbëjnë 38.3 % të numrit total.

(ar.sh/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb