NGA REZARTA DELISULA*

Edmond Kapedani, ish-shef i shërbimit të Angino-kirurgjisë, profesor që për 45 vite mban këtë detyrë, i pyetur nga “Gazeta Shqiptare” mbi ligjshmërinë apo efikasitetin që mund të ketë testimi i mjekëve, shprehet se ai është i kundraligjshëm dhe nuk e ndihmon përmirësimin e cilësisë së punës së specialistit dhe shërbimin ndaj popullatës.

Profesor ka pasur shumë polemika për testimin që do u bëhet mjekëve, a është kjo e drejtë?
Unë jam informuar nga mediat mbi vendimin që ka marrë Ministria e Shëndetësisë për testimin e mjekëve. Mënyra se si kërkohet të bëhet kjo gjë, është krejtësisht e gabuar. Këtu shkelen parimet kryesore të individit dhe për mua kjo formë është e jashtëligjshme. Sigurisht, mjekët pasi mbarojnë shkollën kanë detyrimin të aftësohen në mënyrë periodike, sepse dijet nuk kanë fund e kjo është e vlefshme dhe për ne që punojmë në qendra universitare, por mënyra e dhënies së këtij provimi e ul dinjitetin e mjekut.
Po si mund të zgjidhet ky ngërç?
Në momentin që një mjek ka mbaruar një fakultet, ka marrë një diplomë, ka bërë një specializim, presupozohet se aspektin ligjor e ka të rregullt, por jemi ne të ndërgjegjshëm që këta funksionojnë në mënyrën e duhur? Jo, nuk jemi e në këtë moment duhen gjetur format e përshtatshme për t’i aftësuar këta mjekë, e kjo sigurisht nuk mund të bëhet me këtë lloj testimi. Kjo politikë nuk është e re sot. Që në vitin 1994 ka filluar edukimi në vazhdim, që është emërtim i përbashkët në të gjithë botën dhe për sa i përket Shqipërisë, duhet që ky rikualifikim të bëhet në mënyrë të vazhdueshme e të organizuar. Pra, nuk është provimi zgjidhja, por kualifikimi i vazhdueshëm i mjekëve. Për shembull, u krijua pavijoni i sëmundjeve të brendshme me qëllim aftësimin e mjekut të familjes, në bazë të një grafiku të caktuar, në bazë të një periodiciteti të caktuar të kalojnë një stazh disajavor, si të gjykohet dhe pasi merr leksione të mirëfillta për trajtimin e shërimin e këtyre sëmundjeve, i nënshtrohet një bashkëbisedimi, por jo testimi ku nxirren aftësitë që ka përthithur ky mjek. Por nisma e shumë viteve më parë për edukimin në vazhdim ngeci, sepse kërkon fonde që ata profesorë o do e kenë këtë punë brenda normës pedagogjike, o do paguhen plus dhe kur shteti nuk pati mundësi më ta vazhdonte këtë punë, kjo u shkri. Pra, dua të them që nuk mund të organizosh ti një rikualifikim të mjekut që punon në fshatrat e Pukës e t’i thuash eja në Tiranë që të bëjmë një seminar, sepse atij i kushton shumë kjo gjë. Atëherë, pushteti ka fuqi ekonomike që ta subvencionojë këtë ardhje? E kur nuk ka, duhet që titullarët e spitalit të Tiranës të shkojnë e të mbledhin mjekët në zona të caktuara, psh., patologët në qarkun e Kukësit, gjinekologët, kardiologë, kirurgët, infeksionistët… e të diskutojnë për inovacionet e aktualitetin, por kjo prapë është e pamjaftueshme. Ai detyrimisht duhet të vijë në spitale qendrore për rifreskim, eksperiencë dhe kjo jo detyrimisht në Tiranë, sepse në Durrës, në Shkodër ka mjekë shumë të zotë, të cilët mundet të japin nga eksperienca e tyre për rikualifikimin e këtyre mjekëve.
Doktor, u tha që nga ky testim s’do të cenohen vendet e punës, atëherë pse po bëhet kur nuk sjell rotacion?
Pyetje shumë me vend. Ai që e bën këtë testim, e bën për të mbajtur vendin e punës ose për një post më të mirë, që në rastin konkret s’do të ndodhë. Për ta testuar një mjek nuk është e nevojshme një quiz, por kjo bëhet për ta objektivizuar dijen e tij me punë praktike, me botime, pjesëmarrje në konferenca, por aktive jo për të marrë thjesht kredite ose duke paguar 20 euro për të marrë një fletë dhe në bazë të kësaj, ata t’i nënshtrohen një konkursi para një grupi specialistësh që nuk janë të lidhur me interesat e nuk janë të lidhur me grupe interesi. Sepse nuk është konferencë ajo që organizon një firmë farmaceutike, ku flitet për X ilaç dhe unë referoj për këtë firmë. Konflikti i interesit këtu është shumë i qartë e shumë i hapur. Në konferenca duhet të flitet për sëmundje e mënyrat e njerëzore se si mjekët e kanë tejkaluar një problem apo jo.
Duket sikur shëndetësia edhe pas kaq vitesh është në dorë të politikës, pra politika gjen vend dhe në mjekësi. A duhet t’i japim fund kësaj?
Ka politika shëndetësore dhe politikë në mjekësi. Kur them politika mjekësore është e drejta e çdo qeverie të hartojë strategji e politika në raport me popullatën, gjë që është e domosdoshme dhe e drejtë, jo preferenca. Ministrit i takon që në bazë të asaj që është bërë deri tani, të vazhdojë me politikat për përmirësimin e shërbimit shëndetësor. E keqja është termi ‘politika në shëndetësi’, që ngatërrohet me futjen e duarve të politikës në shëndetësi e shembuj për këtë ka plot. Politika ka punët e veta, bluzat e bardha kanë punët e veta e kjo s’duhet ngatërruar. Nuk është normale që të vijnë emërime në rrugë nga më të ndryshmet për mjekët që do të punojnë në spital. Vazhdojnë ende në forma të ndryshme të kamufluara apo të hapura rekomandimet për punësimin e mjekëve. Lexova një shkrim të profesor Artan Kalos, një njeri mjaft i ditur, i diplomuar në SHBA e në Evropë, i cili shtronte pyetjen: kush do ta testojë atë, kush do jetë grupi i vlerësimit? Unë personalisht s’do e merrja përsipër atë detyrë përballë tij, refuzoj. Po kështu lexova një shkrim të profesor Isuf Kalos për politikat në shëndetësi, që duhet të jenë dhe udhërrëfyesit tonë. Prandaj Ministria e Shëndetësisë duhet të ketë konsulentët e vet, jo persona të zgjedhur nga simpati personale, por duhet të ketë një kolegjium specialistësh që duhen marrë parasysh nga kjo ministri.
Profesor, ju keni zërin tuaj për të orientuar apo dhe për t’u thënë jo veprimeve të ministrisë?
Ministrisë do i propozoja diçka të thjeshtë: që rreth vetes të mbledhë një kolegjium ekspertësh, profesorë e shefa shërbimesh të specialiteteve të ndryshme e duke diskutuar me ta, do të nxjerrë prioritetet reale të mjekësisë e sistemit shëndetësor.
Ekziston panik të bluzat e bardha?
Kjo është arsyeja pse pranova të jap këtë intervistë, sepse janë studentët e mi tashmë mjekë, që janë të trembur mos humbin vendin e punës e kjo jo nga padija, por nga bërrylat pa autor.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: