Seanca filloi me vonesë! Babo nuk ka ardhur ende dhe kjo mungesë topitje shkakton. Doktori dhe Gaz Bardhi ende jo. Se ata te dy vinë në të njëjtën kohë. Ministrushet ishin disi si të zymta dhe pa gajret. Vetëm ardhja e Ulsiut në podium ktheu të qeshurat në atë përzhitje. Në sallë u degjua kënga ” O erdhi Ulsiu o erdhi në lëmë çu gëzuan ministrushet kur i degjuan zënë”!

Bela duket e mvrenjtur me dertet e vatanit mbi shpine dhe pleudarinë e Tit Vasilit perballë. i takojnë të shkuarës pa kthim ato kohë kur muhabeti mes Ulsiut dhe Belës të kenaqte shpirtin dhe e qeshura e tyre si diell ndriçonte aulën e rënë në mërzi dhe ato rreze mbi hallet e shqiptarëve si melhem binin.

Niko qerratait i mungon prushi për biseda këndellëse me Margeritin e cila po hesht sot pa përtesë se ka ditë që përton të heshtë megjithëse duket stoike në heshtje.

Tezja nuk ja ka behur ende se po mbledh kanoçe që të mbajë paster ambjentin. Ogerta po kuvendon e patrazuar me Borën e cila e pyet dhe i thote teta Gerta, teta Gerta pse Babo vjen gjithnjë e më rrallë? Ajo që ja kthen jo xhan mos u mërzit nuk është kjo arsyeja Babo ka halle të mëdha, gjëra me rëndesi  dhe jo ta harxhojë kohën me gjepura!

Pra më ka xhan?! Po, po shumë. Elisa duket sikur është me leje të zakonshme, e menduar dhe ndien mall për kohët epike kur luftonte kundër Berishës siç detyra dhe mideja ja kërkonte!

Kushi pasi dëboi  gylenistët e shkollës “Mehmet Akif” po i rrëfen Ulsiut të zitë e ullirit që hoqi dhe netët e pa gjumë! Krifca teksa Bledi Çuçi i përgjigjet interpelancës së Salianit përsërit me vete “kur degjon zerin e s’ëmes seç la qengji kopene, blegërin dy a tri here edhe e ikën e merr dhenë”, këtë ia ka mësuar drejtori i Akademise së barinjeve.

Ikonomi ka lënë në furrë një tavë patate dhe rri gjithë merak. Tao foli siç di ai,  me retorike të lartë greko -romake, emfazë, stil, dhe buzëqeshje në fund. Kryeministri Majko konstaton dhe çuçurit gjithë kohën me Etildën e cila ende po i gëzohet fjalimit të Taos dhe dukes sikur se ka bash mendjen tek sentencat e ish Kryeministrit dhe gëzimi që i ka shkaktuar vajtja në Kukës.

Mimia u ula afer Taos dhe i dha pak nga eksperienca e saj e gjatë nga ditët kur bëhej Shqipëria. Çuçi ende po flet por të gjithë po bëjnë muhabet. Edhe Salianji gojë prishuri që ka thirrur interpelancë duket sikur po fle. Tigrushi mungon me laryshinë e vet. Albana më kaloi pranë si flutur po saken se më përshëndeti. Marazet e partisë e kanë adhnuar me mua duke ma shtuar pezmin dhe kotësinë e ekzistencën politike. Po kaq zv.lideri Muli ma ka hequr vështrimin duke më shkaktuar një zgavër në xhan. Flutura me Gridën flasin për Orhan Pamukun dhe nuk e kanë mendjen tek pambuku që korret ketu.

Olta sapo erdhi me intuite progresive bisedon me Belën e cila përgatitet të hedhë zjarr e zift mbi opozitën e cila mbi bedena ka nxjerrë Alibeun që vrojton armikun. Jyrgys Çurbja pas sublimitetit të Berlinit ku desh bëri namin për Babo e troje të veta i sheh koleget nga lartësia epike ku historia e ngriti. Braçen se zë vendi te shohim ku do dalë. Çuçi mbaroi llafin Ulsiu muhabetin kreu. Salianji u ngrit evlati përsëri në replikë dhe po tregon që jeta e njeriut vlen më pak se e një pule. Bota është trazuar dhe kërkon vendime të mëdha! Niko iku të mbledhë gjeneralët për të bërë zap trazirat. Blendi Klosi tashmë me një mjekerr as të madhe as të vogël larg xhelozise dhe akuzës dremit. Toni Gogut nëpërmend i shkojnë psalme për çdo situate. Salla po boshatise, mejhana po mbushet. Rrëfimi i paradites mbyllet këtu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb