Ardian Vehbiu ka treguar kohët e para të shkrimit, pasionin për gjuhën dhe gjithçka tjetër nga jeta e një shkrimtari, përballë një auditori të rinjsh. New Literature Festival, ka bërë bashkë dy studiuesit që pak kohë më parë u përfshinë në një debat publik mbi Çmimin Kadare, Vehbiun dhe Alda Bardhylin. Takimi nisi me një pyetje të Bardhylit mbi botimin e tij më të ri, librin “Gjuha që thyen, gjuha e thyer”, shënime përlirinë dhe vargonjtë e fjalës publike në Shqipërinë totalitare, me autor Vehbiun, botuar nga Cabej pak ditë më parë, për të vijuar në një bashkëbisedim të lirë mbi jetën dhe krijimtarinë e tij. Vehbiu tregoi se ka nisur fillimisht të mbajë shënime pa e ditur se ato një ditë do të vinin në një libër.

Gjithçka nisi nga malli, për njerëz e kohë që kishin qenë dikur të rëndësishme në jetën e tij. Ndodhej në Nju Jork, ku tashmë kalon pjesën më të madhe të jetës, ku konfiguroi në shënime mendimet e para si autor. I pyetur mbi muzën e tij, ai tha se ato mund të gjenden në faqet e para të librave që ka shkruar, pasi në jetën e gjatë ka pasur disa muza. Të rinjtë i kërkuan tu rekomandonte dy autorë që duhen lexuar, dhe Vehbiu rekomandoi Ismail Kadarenë dhe Borghesin. New Literature Festival, vjen si një event kushtuar të rinjve në letrat shqipe, dhe mbyll siparin e gjatë të aktiviteteve mbi letërsinë shqipe, organizuar nga Ministria e Kulturës në kuadër të Tetorit të Librit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb