Motrat Cenollari rregullojnë për herë të fundit flokët e gjata e te arta. Pas pak minutash flokët e tyre do të priten shkurt për një kauzë të rëndësishme, siç është ajo ndihmës për gratë me kancer gjiri. Elisa, 11 vjeç dhe Aulona 13 vjeç shprehen se kështu i dërgojnë një pjesë të vetes një vajze të re apo një gruaje që po lufton me kancerin dhe ka nevojë të zëvendësojë flokët e rënë nga kimioterapia. Nuk po dhurojnë vetëm flokë por edhe shpresë.

“Unë nuk kam nevojë për disa flokë, pasi unë kam dhe dua tua dhuroj të tjerëve që të kenë flokë njësoj si unë. I rrita flokët që t’i pres këtë vit. Unë besoj se ato do ndihen të gëzuara dhe të lumtura. Të gjithë kemi nevojë për flokë jo vetëm unë”, u shpreh Elisa 11-vjeçare. “Kam ardhur të dhuroj flokët e mi pasi mendoj se dhurimi është ndjesi flokët do te rriten është kënaqësi është humanizëm. Nuk do me vije fare keq pasi ato do rriten dhe përsëri do t’i dhuroj unë dua t’i pres sa me shumë”,-tha Aulona 13-vjeçare.

Flokët e dhuruara e do të përdorën si paruke nga gra që i kanë humbur për shkak të trajtimit me medikamente të forta. Në luftën e tyre të madhe pamja luan rol të madh psikologjik, por një paruke mund te sjellë gëzimin në fytyrat e tyre. Një gjest i rrallë vjen edhe nga ky djalosh që kishte rritur flokët për t’i dhuruar, pasi tezja e tij kishte vuajtur nga kanceri.

“Kisha dy vjet që i zgjasja, kisha ne fakt historinë e tezës që ka kaluar kancerin uroj qe edhe çunat që rrisin flokët t’i mbajnë pastaj t’i dhurojnë jo t’i çojnë ne plehra”, -tha i riu për News 24.
Edhe gazetarja Edona ka dhënë nga vetja për këtë kauzë, një dhuratë më se personale edhe pse flokët janë pika e saj e dobët.

“I konsideroj flokët të shenjta dhe të shtrenjta por mendoj qe flokët e mia do rriten ne mund te jemi shpresa për këta njerëz ta përballojnë sa me lehte këtë situate”,-tha gazetarja. “Dhuro flokë, fal shprese” ishte eventi i përvitshëm me anë të të cilit iu dhurohen paruke grave të prekura nga kanceri i gjirit ne kuadër te muajit rozë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb